UBT News

Merret vendimi për dy kosovarët që akuzoheshin për përvetësimin e 200 mijë frangave nga një i vdekur në Zvicër

Prokuroria e Qarkut e Toggenburgut (St. Gallen) kishte akuzouar vëllain dhe motrën se kanë “devijuar” shuma parash nga llogaria bankare e një biznesmeni i cili tashmë ka ndërruar jetë, shkruan Tagblatt.ch. Kështu, Gjykata e Qarkut, e Toggenburgut, e kishte shpallur shtetasin kosovar 42-vjeçar fajtor për keqpërdorim masiv të  sistemit të përpunimit të të dhënave.

Ai qe dënuar gjithashtu për fshehjen e një automjeti nga autoritetet e falimentimit dhe për vozitjes shumë shpejt në një zonë ku nuk lejohet shpejtësia mbi 30 kilometra në orë.

Për të gjitha këto ai qe dënuar nga Gjykata e Qarkut me burgim me kusht prej 18 muajsh dhe me gjobë, po ashtu me kusht, prej 40 njësive ditore nga 70 franga.

Motra e tij ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut, si ndihmëse e tij në abuzimin komercial të sistemit të përpunimit të të dhënave dhe pastrimit të parave.

Gjykata i kishte shqiptuar 36 vjeçares me shtetësi zvicerane, një gjobë me kusht prej 25 njësish ditore nga 70 franga. Të dytë ishin të detyruar që bashkërisht t’i paguanin pak më shumë se 200.000 franga  trashëgimtarëve të të ndjerit.

Por, ata nuk e kanë pranuar gjykimin e gjykatës më të ulët prandaj janë ankuar në Gjykatën Kantonale kundër pretendimeve për përvetësim.

Konkretisht, vëllai kishte punuar gjatë periudhës 2014-2015 për të ndjerin, i cili kishte në pronësi disa shtëpi. Sipas tij, ai nuk kishte kontratë pune dhe nuk merrte paga nga i përmenduri por, nga ana tjetër, atij i takonte një provizion për detyrat administrative.

I akuzuari ka dëshmuar se ai, transferimet përkatëse i kishte bërë  në internet, me pëlqimin e shefit të tij. I përmenduri ishte gjithmonë i pranishëm kur ky bënte pagesat.

Paratë kanë shkuar në një llogari që motra i kishte vënë në dispozicion vëllait të saj me kërkesën e tij., përcjell albinfo.ch. Përndryshe ajo nuk kishte asnjë lidhje me transaksionet e pagesave, ka theksuar gruaja.

Në atë kohë i ndjeri tashmë vuante nga demenca pastaj ka vdekur në vitin 2015.

Në seancën e apelit, Gjykata Kantonale e St.Gallenit ka pyetur edhe një dëshmitare e cila kishte punuar gjithashtu për biznesmenin në kohën në fjalë. Ajo kishte qenë gjithashtu e ngarkuar për kontrollimin e faturave të qirasë dhe korrespondencës me qiramarrësit, transmeton albinfo.ch.

Dëshmitarja kishte një punë me kohë të pjesshme, pa kontratë pune. Për këtë kishte marrë 1,000 franga në muaj, është shprehur ajo, e pyetur nga kryetari i trupit gjykues.

I akuzuari kishte shoqëruar shefin pothuajse kudo, është shprehur ajo. Ai ishte në një mënyrë, dora e tij e djathtë. Me aq sa ajo mund të tregonte, të gjitha pagesat bëheshin gjithmonë në prani të biznesmenit. I akuzuari i bënte ato në kompjuter ndërsa shefi qëndronte ulur pranë tij.

Gjykata Kantonale e St.Gallen ka  bërë të ditur gjykimin e saj me shkrim. Ajo ka prishur vendimin e Gjykatës së Qarkut Toggenburg dhe ka shpallur të pafajshëm vëllain për akuzën e përvetësimit.

Ndërsa për automjetin e padeklaruar para autoriteteve të falimentimit dhe për tejkalimin e shpejtësisë ai ka marrë një gjobë me kusht prej 45 njësish ditore prej 30 frangash. Motra, nga ana tjetër është shpallur plotësisht e pafajshme.

Gjykata Kantonale ka hedhur poshtë po ashtu edhe pretendimet civile të trashëgimtarëve, përcjell albinfo.ch. Kostoja e hetimeve dhe procedurave gjyqësore, si dhe mbrojtja zyrtare dhe private e vëllezërve dhe motrave, kryesisht do të mbulohen nga shteti. Bëhet fjalë për dhjetëra mijëra franga.

Exit mobile version