UBT News

Meriton Korenica ishte në radarin e Al-Nassr, mund të bëhej bashkëlojtar i Cristiano Ronaldos

Futbollisti i Kosovës, Meriton Korenica, ishte pranë mundësisë për të luajtur në të njëjtën skuadër me Cristiano Ronaldon, pasi gjatë afatit kalimtar të verës kishte tërhequr interesimin e klubit saudit Al-Nassr.

Këtë e ka zbuluar menaxheri i tij, Armend Nexhipi, i cili në një intervistë për Digi Sport ka bërë të ditur se për mesfushorin kosovar kishte interesim nga disa klube evropiane, por edhe nga Azia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pati interesim nga klube të Bundesligës 2, Çorumi dhe Konyaspori nga Turqia, Al-Nassr, FC Tokyo, Craiova dhe së fundmi FCSB”, ka deklaruar Nexhipi.

Në mesin e skuadrave të interesuara ishin edhe Monza, që në atë periudhë garonte në Serie A, si dhe DC United nga kampionati amerikan.

Megjithatë, transferimi i Korenicës ishte penguar fillimisht nga kërkesat financiare të CFR Clujit, klub që kishte vendosur një çmim prej dy milionë eurosh për kartonin e futbollistit kosovar.

Sipas menaxherit, kjo shumë kishte ndikuar në ecurinë e negociatave, ndërsa vështirësitë financiare të klubit rumun krijuan mundësinë që në fund të arrihej marrëveshja me FCSB-në.

“Këtë verë mora shumë oferta, si nga Monza, ashtu edhe nga DC United. Herën e parë, Cluji kërkoi dy milionë euro. Kjo ishte ndoshta arsyeja pse transferimi nuk u realizua më herët”, ka theksuar Nexhipi.

Korenica përfundimisht iu bashkua FCSB-së, ku deri më tani ka regjistruar një gol në gjashtë paraqitje.

Menaxheri i tij ka shprehur besimin se mesfushori kosovar mund të luajë rol të rëndësishëm në përpjekjet e skuadrës rumune për të rikthyer titullin kampion dhe për të siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.

D.L

Exit mobile version