Studimet paralajmërojnë se një ndryshim sado i vogël në mënyrën e ushqyerjes mund të nxisë simptomat e depresionit tek të rinjtë. Sipas ekspertëve, ushqyerja konsiderohet një faktor rreziku për shfaqjen e depresionit. Ata shpjegojnë se adoleshentët dhe të rinjtë janë në një periudhë të jetës ku rreziku i depresionit është ndjeshëm i lartë. Kjo periudhë është shumë kritike sepse gjatë saj, të rinjtë mund të përcaktojnë një qasje të caktuar ndaj ushqimit të cilën do ta praktikojnë edhe më vonë.
Nëse të rinjtë mësohen vetëm me ushqime të shpejta, atëherë një mënyrë e tillë ushqyerje do të vazhdojë edhe më vonë duke nxitur sëmundje përfshirë edhe ato mendore. Për kryerjen e studimit, ekspertët australianë rekrutuan 76 të rinj nga mosha 17 deri në 35 vjeç. Të gjithë pjesëmarrësit përjetonin simptoma të lehta ose të rënda depresioni. Ata ushqeheshin kryesisht me sasi të larta sheqeri, yndyrnash të ngopura dhe ushqime të përpunuara.
Ekspertët i ndanë pjesëmarrësit në dy grupe. Grupit të parë iu mësua rëndësia e ushqyerjes së shëndetshme dhe iu bënë dhurata për blerje. Grupi i dytë vazhdonte të praktikonte të njëjtin regjim ushqyerje si më parë. Në përfundim të tre javëve, u zbulua se grupi i parë që kishte mësuar të ushqehej shëndetshëm kishte ndryshim thelbësor në treguesit e depresionit, stresit dhe ankthit. 3 muaj pas studimit, ekspertët zbuluan se vetëm 7 persona kishin arritur të ndryshonin regjimin e ushqyerjes dhe falë këtij ndryshimi ndiheshin ndjeshëm më mirë.
Ndryshime Të Vogla, Përmirësime Të Mëdha
Në përfundim të studimit, ekspertët arritën në konkluzionin se konsumi në rritje i frutave, perimeve, peshkut dhe vajit të ullirit, përmirëson ndjeshëm shëndetin mendor të të rinjve dhe jo vetëm. Ajo që pranohet gjerësisht është se shëndeti i trurit nis nga stomaku dhe se ushqimet e shpejta e të përpunuara kanë tendencën të përkeqësojnë ndjeshëm jo vetëm gjendjen shpirtërore por edhe funksionet e trurit. /AgroWeb.