Ferland Mendy pritet të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit për Real Madridin, duke qenë se është duke u mjekuar nga probleme shëndetësore.
Los Blancos kanë konfirmuar se 25-vjeçari vuan nga periostiti tibial dhe për këtë arsye nuk mund të luajë.
Nuk është caktuar ndonjë periudhë e mungesës së mbrojtësit të majtë, gjendja e të cilit po monitorohet, mirëpo ai nuk do të jetë në dispozicion të Zinedine Zidane së paku për ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.
Në një njoftim për shtyp, Reali ka njoftuar se ekzaminimet mjekësore që janë bërë sot (e martë) e kanë diagnostikuar Mendyn me periostit tibial.
Madrilenët kanë edhe tri ndeshje në la Liga në garën për ta mbrojtur titullin, ndërkohë që ndodhen dy pikë prapa liderit Atletico Madrid.
Granada, Athletic Bilbao dhe Villarreali janë tri skuadrat kundërshtare të Mbretërve.