Një nga figurat e njohura të muzikës dhe këngës shqiptare, kantautori Ardit Gjebrea, u nderua sot nga Bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e qytetit” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin, kulturën dhe muzikën shqiptare.
Në një ceremoni plot emocione, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Gjebrea ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore të qytetit, duke promovuar me pasion artistët e rinj.
“Për Tiranën, e cila sot numëron 1 milion banorë, është e rëndësishme të mos harrojmë traditat, mirësjelljen dhe kulturën e të qenit mirënjohës ndaj atyre që kontribuojnë për qytetin tonë. Prandaj, jam i nderuar të vlerësojmë sot një nga ikonat më të mëdha të qytetit, të vendit dhe kombit tonë, madje edhe përtej kufijve,” shprehu Veliaj. Ai e kujtoi veprën e njohur të Gjebreas, këngën “Jon”, si një moment përcaktues në historinë e muzikës shqiptare, një gur kilometrik në epokën e tranzicionit.
Ardit Gjebrea, me emocione në zë, e kthyer pas në kujtimet e fëmijërisë, ndau me të pranishmit momentet e para të tij në muzikë. “Kur pashë këtë piano, më u rikthyen kujtimet nga koha kur studoja. Nuk kisha piano në shtëpi; e vetmja ishte në Pallatin e Pionerëve. Duke kaluar çdo mëngjes, me këpucët që më futnin ujë, ndihesha i motivuar për të ndjekur pasionin tim – muzikën,” u shpreh ai.
Gjebrea theksoi se çdo cep i qytetit i ka dhënë dashuri dhe mbështetje, duke e konsideruar titullin “Mirënjohja e qytetit” si një vlerësim të veçantë për kontributin e tij në artin shqiptar. Ky moment jo vetëm që nderon të kaluarën e tij, por gjithashtu e thekson rëndësinë e kulturës në identitetin e Tiranës./UBTNews/