Me ndeshjen mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut nis sot Botërori më i madh në historinë e futbollit. Takimi i Grupit A zhvillohet në stadiumin legjendar Azteca në Mexico City, duke filluar nga ora 21:00 sipas kohës në Kosovë.
Meksika, njëra prej tri vendeve organizatore së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë, hyn në këtë sfidë si favorite. Megjithatë, përballë do të ketë një Afrikë të Jugut ambicioze, që synon të befasojë dhe të hedhë hapin e parë drejt fazës eliminatore.
Ndeshja e sotme rikthen kujtimet e Botërorit 2010, kur po këto dy përfaqësuese u përballën në takimin hapës dhe u ndanë në barazim 1:1 në Johannesburg.
Rreth 80 mijë tifozë priten në tribunat e Aztecas për të ndjekur spektaklin e hapjes së turneut, i cili këtë herë shënon disa rekorde historike. Për herë të parë në histori, Kupa e Botës zhvillohet me 48 përfaqësuese, ndërsa do të përfshijë gjithsej 104 ndeshje, 40 më shumë se edicioni i Katarit 2022. Po ashtu, është hera e parë që një Botëror organizohet nga tri shtete njëkohësisht.
Ceremonia hapëse nis 90 minuta para fillimit të ndeshjes. Në skenë do të performojnë këngëtarja kolumbiane Shakira, si dhe artistët J Balvin dhe Tyla, mes emrave të tjerë të njohur.
Pas festës së hapjes, vëmendja do të zhvendoset te fusha e lojës. Meksika paraqitet për herë të 17-të në një Kampionat Botëror dhe gëzon avantazhin e terrenit vendas. Përfaqësuesja meksikane renditet e 14-ta në klasifikimin e FIFA-s dhe është e pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit, faktorë që e bëjnë favorite për tri pikët e para.
Në anën tjetër, Afrika e Jugut rikthehet në skenën botërore pas 16 vjetësh mungesë dhe merr pjesë për herë të katërt në histori. Përzgjedhësi belg Hugo Broos ka kërkuar nga lojtarët e tij të fokusohen te plani i lojës dhe të mos ndikohen nga atmosfera në tribuna.
“Për ne do të jetë një përvojë fantastike. Është shumë e rëndësishme t’i përmbahemi planit të lojës dhe të mos dëgjojmë se çfarë po ndodh në tribuna”, ka deklaruar Broos.
Përgatitjet e afrikanëve janë komplikuar nga problemet me vizat, të cilat kanë vonuar udhëtimin e një pjese të stafit teknik.
Në Grupin A bëjnë pjesë edhe Czech Republic dhe South Korea. Dy skuadrat e para të secilit prej 12 grupeve, së bashku me tetë ekipet më të mira të vendeve të treta, do të sigurojnë kalimin në fazën e 1/16 së finales.
Kjo do të jetë vetëm përballja e pestë mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Deri më tani, Meksika ka regjistruar dy fitore, Afrika e Jugut një, ndërsa një ndeshje ka përfunduar pa fitues. Takimi i fundit mes tyre mbetet ai i Botërorit 2010.
D.L
