UBT News

Mehaj reagon pas situatës në Ukrainë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se me vëmendje të plotë janë duke e monituar situatën kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.

Ministri Mehaj përmes një shkrimi në Facebook thotë se Rusia e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë intensivisht me aktivitetet e luftës hibride, tashmë të njohura në rajonin tonë, siç ishin edhe deklaratat dezinformuese para pak ditëve nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë.

Ministri kërkoi që populli ynë të mos bie pre e këtyre provokimeve dhe t’i kenë parasysh vetëm informacionet zyrtare nga institucionet relevante shtetërore të Republikës së Kosovës.

“Nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme. Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO”, theksoi më tej Mehaj.

FSK bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes e vlerësojnë se është koha që kërkesa e përhershme për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive.

“Ky veprim do të jetë edhe një vlerë e shtuar, krahas vlerave që bart NATO, dhe përkon me synimin tonë kryesor nacional, në aleancë të përjetshme me ShBA-në”, përfundoi ai./UBTNews/

Exit mobile version