Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke, së bashku me kolegët e forcave turke dhe forcave tjera të tetë vendeve partnere, është duke marrë pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise’23”, që mbahet në Kars të Turqisë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar se komandot e FSK-së po stërviten në dëborë dhe kushte të vështira dimri së bashku me forcat partnere.
FSK është duke marrë pjesë me një kontingjent të përbërë me kapacitete të këmbësorisë së mekanizuar, mortajave, kërkim-shpëtimit dhe oficerë stafi.
Qëllimet e stërvitjes, siç ka shkruar Mehaj, përfshijnë sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në operacionin e kombinuar, testimin e aftësive luftarake të trupave, rritjen e sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit, trajnimin e trupave në tema kyçe si: dislokimi, shërbimi i ushqimit, veshmbathja, furnizimi dhe aktivitetet e mirëmbajtjes, mbijetesën, si dhe funksionimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në dëborë dhe kushte të vështira dimri.