UBT News

Mehaj i përsëriti kongresmenit Torres kërkesën për bazë të përhershme ushtarake në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj takoi kongresmenin amerikan, Ritchie Torres.

Ai bëri të ditur se e njoftoi Torres-in për situatën aktuale të sigurisë në vend pas krizës në Ukrainë dhe ndikimit destabilizues rus përmes qasjes destruktive të Serbisë kundër Kosovës dhe në përgjithësi kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.

“Duke i dëshiruar mirëseardhje në vendin tonë, Kongresmenit Torres i shpreha edhe këtë radhë falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për gjithë mbështetjen e dhënë nga ai në Kongresin Amerikan për ne, SHBA-së si vend aleat jetik dhe popullit amerikan si komb mik yni.”, u shpreh Mehaj.

Ministri potencoi se i rikujtoi kërkesën kongresmenit amerikan për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.

“Kongresmenin Torres, e njoftova edhe me të arriturat tona të përgjithshme, proceset aktuale zhvillimore si dhe synimet tona për të ardhmen, duke i rikujtuar kërkesën tonë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë që do të shërbente si garancë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Ritheksova se vizioni ynë shtetëror është anëtarësimi në NATO, në aleancë të përhershme me SHBA-në, gjithmonë në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë.”, shtoi tutje Mehaj.

Exit mobile version