Të rinjtë e interesuar të jenë kadetë të Akademisë së Mbrojtjes dhe oficerë karriere në Forcën e Sigurisë së Kosovës, mund të informohen për këtë shkollim nga kadetët e Qendrës për Studime Universitare.
Ata janë vendosur në Panairin e Edukimit që po mbahet në Pallat të Rinisë në kryeqytet dhe për dy ditë me radhë do të ndajnë informacione rreth funksionimit të QSU-së dhe aplikimit për kadetë. Aty ka qëndruar edhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj i cili ka folur për rëndësinë që të rinjtë të kenë më shumë njohuri rreth ushtrisë.
FSK është në procesin e përgatitjes së vitit të akademik për konkursin e kadetëve të gjeneratës 2022/26 të Qendrës për Studime Universitare “”Wesley Clark” në Prishtinë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj thotë për KosovaPress se përmes informimit në panaire të tilla, të rinjtë do ta kenë me të lehtë të përgatiten për aplikim në QSU.
“Ushtria është e popullit, sa më shumë informata që të kenë dhe çka duhet me i përgatitë njerëzit, sidomos rininë, çka pritet në QSU ose në ushtri në përgjithësi është shumë me rëndësi të kenë informata të sakta tash edhe nga kadetët që janë këtu prezent që jo vetëm përgatitja fizike por edhe psikologjike se çka nënkuptohet me ushtrinë. Kështu qe është shumë me rëndësi dhe do të marrim pjesë edhe në panaire te ardhshme, sa më shume informata të sakta aq më lehtë e kanë rinia me u përgatitë për aplikimet e radhës”, thotë ministri i Mbrojtjes.
Ndërsa në këndin e FSK-së në Panairin e Edukimit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, kadetët Klinton Gashi dhe Endrit Kolica janë të gatshëm të njoftojnë të gjithë të rinjtë e interesuar për QSU-në.
Gashi, i cili është kadet i vitit të dytë thotë se kjo është një metodë e mirë për promovimin e Qendrës për Studime Universitare dhe te ndajnë informatat me të rinjtë e tjerë që synojnë të bëhen pjesë e Forcës.
“Është sfidë në vete normal ka goxha aktivitet por qëllimi që e kemi ne është më i madh se sfidat që ne i kalojmë dhe pas kësaj ne dalim me gradën e parë të oficerit që është nëntoger, se edhe vet programi shkollës i cili është edhe i akredituar quhet Nëntoger në Forcat e Armatosura”, thotë Gashi.
Qendra për Studime Universitare është shkollë në kuadër të Akademisë së Mbrojtjes dhe Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.