Dukesha e Sussex ka fituar fazën e fundit në luftën e saj ligjore kundër botuesit të Mail on Sunday për një letër që i dërgoi babait të saj, përcjell UBT News.
Gjykata e Apelit hodhi poshtë përpjekjen e Associated Newspapers për të pasur një gjykim në çështjen e privatësisë dhe të drejtave të autorit.
Një gjykatës kishte vendosur më parë në favor të Meghan pasi fragmente nga letra u shfaqën në gazetë.
Meghan tha se ishte një fitore “jo vetëm për mua, por për këdo që ka ndjerë ndonjëherë frikë të flasë për atë që është e drejtë”.
Në një deklaratë të lëshuar pas vendimit, dukesha u shpreh se “Në gati tre vjet që nga fillimi, unë kam qenë e durueshme përballë mashtrimit, frikësimit dhe sulmeve të llogaritura”.
Gjykata e Apelit pranoi argumentin e Meghan se letra drejtuar Thomas Markle në gusht 2018 ishte “thellësisht personale”.
Gjykatësve iu tha se 585 nga 1250 fjalët e letrës ishin ribotuar në pesë artikujt në fjalë.
Në vendimin e tyre, tre gjyqtarët thanë se përmbajtja e letrës ishte “personale, private dhe jo çështje me interes publik legjitim”.
Në një seancë dëgjimore tre-ditore në nëntor, avokatët e Associated Newspapers argumentuan se pretendimet e Meghan kundër botuesit për shkelje të privatësisë dhe të drejtës së autorit duhet të dëgjohen në një gjyq të plotë./UBTNews/