UBT News

Medvedev shuan ëndrrën e Djokovicit

Ëndrra e Novak Djokovicit për të fituar Grand Slamin US Open shuhet në finale. Nole mori një goditje të fortë nga Daniil Medvedev, i cili praktikisht ishte i përsosur në 2 orë e 17 minuta që zgjati dueli i fundit i këtij turneu, duke fituar 3-0 me sete, të gjitha me të njëjtin rezultat 6-4. Në stadiumin “Arthur Ashe”, në New York, Djokovic nuk ia doli të bënte të tijin Slamin e katërt të vitit 2021, që do ta shndërronte në lojtarin e tretë në histori që arrin të fitojë katër Grand Slam në një vit kalendarik.

Djokovic, numri 1 në botë, me 20 turne Slam të koleksionuar deri më tani, ashtu si Federer dhe Nadal, u duk i pafuqishëm përballë rusit 25-vjeçar, që fitoi Grand Slamin e parë në karrierë. Daniil Medvedevit iu desh “të luante” edhe kundër publikut njujorkez, që kërkonte të shihte Nolen si triumfues.

Pjesa më e madhe e finales u karakterizua nga shërbimet vdekjeprurëse te Medvedevit dhe nga gabimet, veçanërisht pranë rrjetës, të serbit. Në gjysmën e setit të dytë, nervat e Noles filluan të prisheshin dhe ai u duk I përlotur në ndryshimin e fundit të fushës.

Por pas goditjes përfundimtare, që sanksionoi fitoren e tij, Medvedev shpërtheu në lot gëzimi, ndërsa Djokovic u tregua shumë sportiv, duke e përqafuar rivalin e tij. Nole qëndroi i heshtur, pothuajse i ngurtësuar, duke pranuar fundin e ëndrrës së madhe, derisa duartrokitjet e publikut të Nju Jorkut i rrëmbyen atij një buzëqeshje, por pa mundur që të fshehë sytë e skuqur nga zhgënjimi.

Exit mobile version