UBT News

Mediat shqiptare: Liburn Aliu emërohet në post publik në Shqipëri

Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është emëruar në pozicionin e drejtorit të Portit të Durrësit në Shqipëri vetëm dy muaj pas dorëheqjes nga pozita e ministrit në detyrë të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2.

Aliu, një prej figurave eminente të Vetëvendosjes është emëruar drejtor i Portit të Durrësit, kanë njoftuar mediat shqiptare dhe në raportimin ekskluziv, thuhet se Aliu është emëruar drejtor me vendim të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Belinda Balluku.

VNA.al shkruan se përpos Aliut, që do të marrë nën drejtim Portin e Durrësit, ministrja Balluku ka emëruar edhe drejtorin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Kreshnik Bajraktarin.

Liburn Aliu është njëri nga themeluesit e Vetëvendosjes dhe për shumë vjet një nga njerëzit më të afërt të Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së dhe kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës.

Ai shërbeu për më shumë se katër vjet si ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2.

Publikisht, në njoftimin e dorëheqjes, ish-ministri tha se arsyeja e dorëheqjes së tij ishte propozimi nga Vetëvendosje dhe zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës./S.K/EO/

Exit mobile version