UBT News

Mediat në Beograd: Rrezikojmë dënimin në prag të ndeshjes me Shqipërinë

Federata e Futbollit të Serbisë dhe kombëtarja po presin një dënim të ashpër nga FIFA, për shkak të ngjarjeve në ndeshjen mes serbëve dhe kombëtares së Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Serbia u mund në shtëpi nga Anglia me rezultatin 0:5, dhe golashënues ishin Harry Kane, Noni Madueke, Ezri Konsa, Marc Guehi dhe Marcus Rashford nga pika e penalltisë.

Përveç disfatës në rezultat, kombëtarja serbe dhe Federata Serbe mund të përballen me një problem edhe më të madh, shkruan portali anglez “Sportbybl”.

Arsyeja, sipas mediave britanike, është sjellja e tifozëve, veçanërisht duke qenë se FSS ishte nën një dënim me kusht nga FIFA dhe një pjesë e stadiumit, tribuna jugore, ishte bosh për këtë arsye.

Ndeshja u luajt në një stadium pjesërisht të mbyllur si ndëshkim për thirrjet raciste në ndeshjen e mëparshme kundër Andorrës, ku 15% e kapacitetit ishte bosh.

Federata e Futbollit të Serbisë publikoi një deklaratë para ndeshjes, duke i bërë thirrje tifozëve të silleshin me qytetari, duke shtuar se gjatë pesë viteve të fundit janë gjobitur me mbi 700,000 euro nga FIFA dhe UEFA për shkelje të përsëritura.

Sipas portalit “Sportbybl”, problemi më i madh për FSS do të jenë thirrjet e tifozëve për Kosovën dhe Metohinë. Britanikët shkruajnë:

“Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe tani është një shtet i pavarur pjesërisht i njohur. Megjithatë, Serbia nuk e njeh Kosovën si të pavarur dhe të dyja kombëtaret nuk lejohen të përballen në garat ndërkombëtare”.

Tifozët serbë kritikohen jo vetëm për thirrjet për Kosovën dhe Metohinë, por sipas mediave angleze edhe për “një banderolë provokuese me një hartë të Kosovës të mbuluar me ngjyrat e flamurit serb”.

Për këtë arsye kanë reaguar përfaqësues të SHBA-së, të cilët kanë kërkuar nga FIFA dhe UEFA të marrin masa.

Një tifoz i Kosovës i shkroi llogarisë zyrtare të UEFA-s në rrjetin X, duke shtuar se banderola ishte një akt i papranueshëm që shkel çdo standard sportiv./S.K/EO/Sportbybl/

Exit mobile version