UBT News

Mediat italiane në një mendje: Zhegrova meriton më shumë minuta te Juventusi

Edon Zhegrova po vazhdon të marrë vëmendje në mediat italiane dhe evropiane, pas paraqitjes së tij në fitoren 2:0 të Juventusit ndaj Napolit, ku kontribuoi me një asistim.

Paraqitja e reprezentuesit të Kosovës ka nxitur reagime të shumta, me disa prej mediave të njohura që i kanë bërë thirrje trajnerit Luciano Spalletti t’i japë më shumë hapësirë në fushë.

Zhegrova u inkuadrua në lojë në minutën e 59-të dhe menjëherë i dha më shumë gjallëri repartit ofensiv të Juventusit, duke rrezikuar vazhdimisht përmes driblimeve, depërtimeve dhe harkimeve.

Një statistikë interesante nga kjo ndeshje është se kosovari realizoi më shumë goditje brenda vetëm tri minutave sesa dy sulmuesit Kolo Muani dhe Nick Woltemade gjatë gjithë takimit.

Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vënë re nga mediat prestigjioze si “Goal”, “Tuttomercatoweb” dhe “Corriere della Sera”, të cilat vlerësuan ndikimin e tij në lojën e skuadrës torineze.

“Një aksion i tij solli golin e epërsisë 1:0. U inkuadrua në lojë dhe i dha gjallëri skuadrës. Padyshim që meriton më shumë hapësirë”, shkroi “Tuttomercatoweb”.

Ndërkohë, “Corriere della Sera” e vlerësoi kontributin e tij me fjalët: “Freskia dhe energjia e re që bëjnë diferencën”.

Edhe mediumi “Goal” theksoi ndikimin e Zhegrovës pas inkuadrimit në lojë.

“I futur në lojë në minutën e 59-të, Zhegrova solli freski dhe më shumë depërtim në sulmin e Juventusit. Rreth minutës së 75-të, ai pati dy goditje radhazi që u bllokuan nga mbrojtja e Napolit, duke e mbajtur kundërshtarin nën presion, ndërsa Juventusi kërkonte golin e fitores”, shkroi “Goal”.

Kështu, paraqitjet e fundit të Zhegrovës po shtojnë zërat se reprezentuesi kosovar meriton më shumë minuta në dispozicion te Juventusi.

D.L

Exit mobile version