Java e dytë në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll ka dhuruar disa ndeshje interesante.
Vëllaznimi regjistroi fitoren e parë për këtë edicion në elitë apo edhe të parën pas një viti në Superligë. Kuqezinjtë të mbështetur nga tifozët e tyre fituan ndaj Rahovecit 94:87 pas dy vazhdimeve. Më i dalluari ishte qendra Damonte Dodd me 16 pikë, 20 kërcime, pesë asistime dhe nëntë bllokada, duke e pasur indeksin e ndeshjes 39.
Rodney Purvis zhvilloi një tjetër ndeshje të mirë, kësaj radhe ndaj Ponte Prizrenit, duke qenë më i dalluari te pejanët. Purvis kishte 31 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Në anën tjetër, bindshëm më i miri te Ponte Prizreni ishte organizatori Ivan Koljeviq me 32 pikë, tetë kërcime dhe 11 asistime.
Trepça regjistroi fitoren e dytë këtë edicion, ku fituan ndaj Bashkimit, kurse më i dalluari ishte basketbollisti i Kombëtares së Kosovës, Erjon Kastrati me 20 pikë, dy kërcime dhe katër asistime.
Sigal Prishtina shënoi fitoren e parë, duke mundur kampionin aktual Golden Eagle Yllin, ku më i miri në parket te bardhekaltrit ishte Dustin Thomas me 16 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime.
Top 5
Damonte Dodd (Vëllaznimi) 16 pikë, 20 kërcime, pesë asistime, nëntë bllokada
Rodney Purvis (Peja) 31 pikë, gjashtë kërcime, katër asistime
Ivan Koljeviq (Ponte Prizreni) 32 pikë, tetë kërcime, 11 asistime
Erjon Kastrati (Trepça) 20 pikë, 2 kërcime, katër asistime
Dustin Thomas (Sigal Prishtina) 16 pikë, shtatë kërcime, dy asistime