Me peticion po u kërkohet gazetarëve që të mos e intervistojnë aktorin Will Smith dhe gruan e tij, Jada Pinkett Smith. Ky peticion mblodhi më shumë se 2 mijë e 500 nënshkrime dhe po vazhdon edhe më tej.
Peticioni u nis nga një përdorues i rrjeteve sociale, Dexter Morales më 26 nëntor, me moton “Ndaloni së intervistuari Will dhe Jada Smith!”. Ndonëse Morales nuk dha arsye pse e nisi këtë peticion, nënshkruesit e peticionit shprehën frustrimin rreth tendencës së çiftit të njohur për të shpalosur detaje intime nga jeta e tyre private.
“Gjithçka që dëgjoj për këtë çift është kundër vullnetit tim”, deklaroi një person.
“Sinqerisht është shumë. Të famshmit zakonisht nuk shpërndajnë më shumë informacione sesa ajo që ne duam ta dimë, por këta dy bëjnë përjashtim”, shkroi një person tjetër.
Peticioni vjen pas publikimit të librit të Smith “Will”, ku ylli i Hollivudit flet për martesën e tij me Pinkett Smith dhe divorcin nga gruaja e tij e parë, Sheree Zampino./UBTNews