Në kuadër të festivalit të madh ndërkombëtar “Global UBT Fest 2026”, Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT ka hapur zyrtarisht punimet e Akademisë Verore nën moton mjaft aktuale “Green Buildings and Green Infrastructure”.
Ky program katërditor vjen si një platformë dinamike që bën bashkë botën akademike dhe liderët e industrisë, duke u ofruar studentëve një mundësi unike për të zhvilluar kompetencat e tyre profesionale përmes ndërlidhjes së teorisë me praktikat më të avancuara të ndërtimit të qëndrueshëm.
Ceremonia e hapjes dhe fjala e mirëseardhjes u udhëhoq nga Dekani i Fakultetit, Prof. Visar Krelani, i cili theksoi rëndësinë e këtij edicioni për trajtimin e sfidave dhe trendeve të reja të inxhinierisë së qëndrueshme.
Menjëherë pas hapjes zyrtare, dita e parë e akademisë i është kushtuar tërësisht praktikës në terren, me një vizitë studimore në Fabrikën për Prodhimin e Çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit.
Vizitën e udhëhoqën Prof. Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prof. Naser Morina, si dhe Agron Parduzi nga zyra e Shitjes në UBT.
Gjatë kësaj vizite, studentët u pritën nga stafi teknik dhe menaxherial i fabrikës, ku patën mundësinë të shohin nga afër proceset e prodhimit, laboratorët dhe teknologjinë e përdorur në ndërtimtari.
Lidhur me këtë eksperiencë, Dekani Krelani u shpreh se kjo vizit për studentet është një mundësi e mirë që të njihen nga afër me aspektet teknike dhe aplikimin e teknologjisë në prodhimin e çimentos.
“Studentët patën mundësinë që përmes Menaxherit të Prodhimit, z. Pasion Suma, dhe z. Teodor të njihen nga afër me aspektet teknike dhe aplikimin e teknologjisë në prodhimin e çimentos. Përmes vizitave në laboratorë, ku panë provat kimike, fizike e mekanike që realizohen çdo orë, ata morën informata direkte nga përgjegjësit e sektorëve dhe kuptuan rëndësinë e kësaj industrie për sektorin tonë. Dita e dytë nesër vazhdon në orën 09:00, ku së bashku me Fakultetin e Energjisë Efiçiente do të trajtojmë mbetjet e ndërtimit, efiçiencën e energjisë dhe të drejtat ujore”, shprehet Krelani.
Akademia Verore do të vazhdojë me ligjërata të ngjeshura dhe sesione të tjera akademike edhe në ditët në vazhdim, duke trajtuar tema kyçe për zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër. /E.A/

