UBT News

Me një organizim të veçantë u shënua 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës nga UBT International Smart Schools

UBT International Smart Schools organizuan ceremoni solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke bashkuar nxënës, mësimdhënës, prindër dhe drejtues institucionalë në një atmosferë festive dhe plot emocion.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e arsimit në forcimin e shtetit dhe në formimin e brezave të rinj me vizion evropian dhe global. Ai vlerësoi angazhimin e UBT International Smart Schools në kultivimin e dijes, inovacionit dhe vlerave kombëtare.

Ndërkaq, Zëvendës-drejtoresha e shkollës, Shqipe Agushi, në fjalën e saj nënvizoi rolin e mësimdhënësve dhe prindërve në edukimin dhe përgatitjen e nxënësve për të qenë qytetarë të përgjegjshëm të vendit.

Programi artistik përfshiu një varg performancash të realizuara nga nxënësit e klasave të para dhe të dyta, të cilët interpretuan poezi për pavarësinë, këngë kushtuar mëmëdheut dhe vallen “Garda e Kosovës”. Një moment i veçantë ishte interpretimi i poezisë “Kosova” nga nxënësja Sara Ymeri.

Atmosfera u pasurua me pika muzikore nga kori i shkollës, së bashku me nxënëset Dilara Jashanica dhe Nina Kuçani, të cilat interpretuan këngën “Ti moj Kosovë”, si dhe nga nxënëset Era Iberdemaj dhe Orges Tmawa me këngën “Jakup Ferri”.

Në vazhdim, performanca tematike “Horizonti i Kosovës”, realizuar nga Alea Halili, Troi Ejupi dhe Era Raçi, solli një mesazh frymëzues për të ardhmen e vendit, ndërsa vallja tradicionale “Vallja e Kosovës” dhe “Vallja e Drenicës” rikthyen në skenë elementet e trashëgimisë sonë kulturore.

Një tjetër pikë muzikore u interpretua nga nxënëset Vlera Krasniqi dhe Anda Rexhepi me këngën “Atje është Prishtina”, ndërsa homazhi historik kushtuar heroinës kombëtare Isa Kastrati, nga Arba Kastrati (Isa Kastrati & Muharrem Fejza), u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.

 

 

 

Exit mobile version