UBT News

Me një finale të fortë përmbyllet WTT Youth Contender Prishtina 2025

Për katër ditë me radhë, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë u shndërrua në epiqendër të pingpongut botëror, duke mirëpritur sportistë nga e gjithë bota në garat prestigjioze WTT Youth Contender Prishtina 2025.

Të pranishëm në ceremoninë përmbyllëse ishin figura të rëndësishme të sportit në vend, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi, dhe Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, z. Kushtrim Mushica të cilët ndanë çmime për finalistët dhe kampionët.

Garat e zhvilluara sollën përballje të forta, emocione të veçanta e momente të paharrueshme për sportdashësit dhe pjesëmarrësit. Dje u shpallën fituesit në tri kategori: U11, U15 dhe U19.

Kategoria U11

Në këtë kategori dominuan sportistët nga Katari, duke fituar me rezultat të ngushtë 3:2. Racha Loghraibi zhvilloi një përballje emocionuese me greken Kleio Madesi, e cila ishte shumë afër fitores, por nuk arriti të përmbyste rezultatin. Për Rabeah Al-Kuwari, kjo finale kishte domethënie të veçantë pas përpjekjesh të shumta për të arritur një trofe, më në fund arriti të mposhtë Taavi Samaraweeran nga Sri Lanka dhe të sigurojë fitoren e tij të parë në karrierë.

Kategoria U15

Dhuroi spektakël të vërtetë në të dyja konkurrencat, te femrat, u përballën dy lojtare nga Taipei – Lin Wan-Rong fitoi bindshëm 3:0 ndaj Ll Jen Yueh.

Ndërsa te meshkujt, Malik Severinsen nga Danimarka mposhti po ashtu me rezultat të pastër 3:0 gjermanin Jeffrey Wei.

Kategoria U19

Në këtë kategori dominoi Republika e Koresë. Te meshkujt, Kwon Hyuk shënoi një fitore të sigurt 3:0 ndaj italianit Danilo Faso. Te femrat, Yoo Yerin triumfoi me rezultat 3:1 ndaj Syndrela Das nga India. Edhe sportistët treguan paraqitje të denja e përkushtim, ndonëse nuk arritën të sigurojnë ndonjë çmim.

Garat vazhdojnë me kategorinë Feeder që nis nga data 3 deri më 7 qershor 2025, ku priten edhe më shumë emocione dhe përballje të nivelit të lartë.

Exit mobile version