Ishte mbrëmje në Kabul dhe Sabra*, një studente e vitit të katërt të mjekësisë, mori një mesazh në WhatsApp. Në një grup bisedash universitare me 38 kolegë, një mikeshë shpërndau një raport lajmesh në të cilin thuhej se talibanët ua kanë ndaluar arsimin e lartë grave. “Vajza, çfarë po ndodh këtu?” shkroi ajo. “A është e vërtetë?”
Të martën, Ministria e Arsimit të Lartë në Afganistan lëshoi një urdhëresë për të gjitha universitetet shtetërore dhe private, përmes së cilës u ndalua arsimi universitar për gratë për një kohë të pacaktuar. Tashmë shkollimi i mesëm është i ndaluar në Afganistan.
Sabra tregoi se si e përjetoi.
“Kam studiuar me gjithë zemër për katër vjet”, tha ajo përmes telefonit nga Kabuli. “Më ka mbetur vetëm një vit për të diplomuar nga universiteti”.
Lëvizja u dënua shpejt dhe globalisht. Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit e kritikoi këtë ndalesë dhe tha se është “hap prapa për Afganistanin”. Qeveria amerikane tha se vendimi është i papranueshëm dhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, njoftoi se është “thellësisht i tronditur”.
Rina Amiri, një e dërguar speciale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gratë dhe vajzat afgane, tha se ky vendim hoqi çdo dyshim se talibanët po i rikthehen politikave ekstreme që i zbatuan në vitet 1990, kur sunduan për herë të fundit në Afganistan.
“Bota duhet të refuzojë, siç kanë bërë afganët, se kjo ka të bëjë me kulturën ose fenë. Në historinë afgane, vetëm talibanët kanë miratuar politika që ndalojnë arsimimin e vajzave. Në asnjë vend me shumicë myslimane, në asnjë vend të botës vajzave nuk u mohohet shkollimi”, shkroi Amiri në Twitter.
“Jemi në një pikë kthese. Si një komunitet global, ne duhet të mbajmë një qëndrim të vendosur kundër këtyre politikave ekstreme. Dështimi për ta bërë këtë mund të inkurajojë talibanët, të frymëzojë linjat e ashpra gjetkë [dhe] të rrezikojë të drejtat e grave, vajzave dhe popullatave të rrezikuara përtej Afganistanit”, shkroi më tej.
Sabra tha se ka dëgjuar thashetheme muaj më parë se talibanët do t’i ndalonin gratë nga arsimi i lartë, por tha se nuk mund ta besonte.
“A nuk është kjo e drejta ime si një vajzë që erdha këtu … me para nga qëndisja dhe thurja e qilimave dhe që doja të bëhesha mjeke?”
“Është ora 4:30 e mëngjesit me orën e Kabulit dhe nuk mund të flija për asnjë moment sonte”, tha ajo. “Nuk mund t’i mbaj lotët”.
Një tjetër studente shkroi në Facebook se ka probleme me gjumin. Sakina Sama tha se iu deshën tre vjet pasi la shkollën e mesme për të bindur babain e saj që ta lejonte të regjistrohej në një universitet, por që tani iu ndalua nga qeveria.
Një numër aktivistësh afganë të të drejtave civile dhe të të drejtave të grave jashtë vendit kanë bërë thirrje përmes një deklarate të përbashkët që talibanët ta anulojnë “këtë krim mesjetar” që “do të imponojë izolim absolut mbi gratë dhe vajzat afgane dhe do t’i ekspozojë gratë ndaj dhunës, varfërisë dhe shfrytëzimit”./UBTNews/