Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka deklaruar se testi i maturës shtetërore sivjet do të mbahet më 18 qershor dhe atij pritet t’i nënshtrohen rreth 24 mijë nxënës. Para kësaj pritet të mbahet testi i arritshmërisë për të cilin Pupovci ka bërë të ditur se ndahet në dy ditë, më 4 dhe 14 qershor. Në një konferencë për media, zëvendësministri i Arsimit ka thënë se presin rezultate të sakta për këto dhe testin PISA në mënyrë që të dihet cila është gjendja në arsim.
Pupovci ka thënë se testi i arritshmërisë, të cilit iu nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë, do të organizohet në dy ditë në mënyrë që nxënësve t’u shtrohen më shumë pyetje nga lëndë të caktuara. Ai ka thënë se dita e parë e testit të arritshmërisë do të jetë më 4 qershor ku nxënësit do të testohen për gjuhën shqipe, gjuhën angleze, historinë dhe gjeografinë, ndërsa më 14 qershor nxënësit do t’i nënshtrohen testit nga matematike, fizika, informatika dhe biologjia.
Ndërsa testit të maturës shtetërore, Pupovci ka thënë se pritet t’i nënshtrohen 24 mijë nxënësm por mund të ketë edhe nxënës nga vitet e kaluara.
“Testi i maturës shtetërore këtë vit planifikohet të mbahet më 18 qershor, numri i maturantëve është diku rreth 24 mijë dhe thjesht mund të ketë edhe nxënës të cilët vinë nga vitet e kaluara t’i shtohen këtij numri prej 24 mijë, pra kjo është e ndryshueshme dhe testi po ashtu do të organizohet brenda një dite dhe i ka tri lëndë të përgjithshme dhe një zgjedhore, lëndët e përgjithshme janë matematika, gjuha amtare dhe gjuha angleze, këtu hyjnë të gjithë nxënësit, ndërsa pastaj nxënësit kanë të drejtë të përcaktohen edhe për një lëndë zgjedhore, kështu që tashmë nëpër shkolla kanë filluar përgatitjet”, ka thënë ai.
Duke folur për testimin PISA i cili ka filluar dje, zëvendësministri i Arsimit ka thënë se do të vazhdojë deri më 20 maj dhe nga ai testim presin rezultate të sakta.
“Në lidhje me testin PISA dua t’ju informoj se dje ka filluar testimi dhe do të vazhdojë deri më datën 20 maj, pra janë caktuar qendrat e testimit dhe do të marrin pjesë gjithsej 238 shkolla me 7 mijë nxënës të lindur gjatë vitit 2006, pra këta janë 15 vjeçarët që konsiderohen pavarësisht a vijojnë klasën e nëntë apo të dhjetën, merret kjo grupmoshë, dhe ata do të testohen gjatë kësaj periudhe. Në parim në një shkollë janë përzgjedhur 57 nxënës, e nëse shkolla ka pasur më pak se 57 nxënës të kësaj moshe, atëherë janë marrë të gjithë nxënësit e kësaj moshe”, ka thënë ai.
Në PISA nxënësit testohen në fushën e matematikës, leximin dhe shkencave, ndërsa sivjet fokusi është në lëndën e matematikës.
Ndër të tjera, zëvendësministri i Arsimit ka përmendur edhe zvogëlimin e numrit të nxënësve në sektorin publik për shkak të shpërnguljeve dhe kalimit të nxënësve në shkollat e sektorit privat.
“Këtë vit kemi një zvogëlim mjaft të madh të nxënësve në sektorin publik, diku rreth 12 mijë nxënës dhe kjo ka ndodhur si për shkak të çështjeve demografike, pra zvogëlimit të natalitetit pastaj shpërnguljeve por edhe kalimit të një numri të nxënësve në shkollat e sektorit privat. Kjo ka shkaktuar një tepricë të rreth 2 mijë mësimdhënësve në sistemi ne arsimit por dua të ju siguroj se për këta mësimdhënës janë siguruar pagat edhe për vitin 2023 dhe ne në bashkëpunim me komunat do të bëjmë përpjekje që kjo tepricë të shfrytëzohet për një organizim më të mirë brenda shkollave”, ka thënë ai
Sipas tij, këta mësimdhënës do të angazhohen për shërbime shtesë në shkolla të cilat deri tani nuk janë realizuar për shkak të mungesës së financave.
Pupovci gjithashtu ka deklaruar se në vitin 2023 parashihet të angazhohen edhe 300 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta.