Protesta e 7 gushtit në Prishtinë, ku u kërkua lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, do të vazhdojë më 14 shtator në Hagë, njofton Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së.
Në njoftim thuhet se protesta organizohet nga mërgata shqiptare dhe mbështetet nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së dhe do të mbahet më 14 shtator, me fillim nga ora 14:00.
Qindra qytetarë nga e gjithë Kosova, por edhe nga treva të tjera shqiptare, në protestën e fundit që u mbajt më 7 gusht, u mblodhën në sheshin qendror të Prishtinës për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj, siç u cilësua, padrejtësive që po u bëhen ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.
Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.