UBT News

Mbyllet olimpiada e Parisit 2024- Kurora e sportit i përket Amerikës

Parisi 2024 mbylli siparin këtë të diel me një ceremoni spektakolare të mbajtur në “Stade de France”, duke i dhënë fund një olimpiade që zgjati për 15 ditë. Nën dritën e flakës olimpike që ndriçoi qiellin e Parisit, publiku në stadium këndoi në kor këngën ikonike të Edith Piaff, “Sous le Ciel de Paris”, duke krijuar një atmosferë të paharrueshme.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shfaqën dominimin e tyre të jashtëzakonshëm në Lojërat Olimpike, duke u pozicionuar në krye për herë të katërt radhazi dhe duke penguar Kinën të rikthehej në majë, diçka që kishte ndodhur për herë të fundit në Olimpiadën e Pekinit 2008.

Vendi i tretë iu dha Japonisë, e cila fitoi 20 medalje të arta, ndërsa Australia dhe Franca përmbyllën pesëshen më të mirë me 18 dhe 16 medalje të arta përkatësisht.

Finalja e basketbollit për femra, ku ekipi amerikan triumfoi ndaj Francës, vulosi pozicionimin e SHBA-së në vendin e parë, me një total prej 40 medaljesh të arta, 44 të argjendta dhe 42 të bronzta. Kina, nga ana tjetër, arriti të fitojë gjithsej 91 medalje.

Kosova u rendit në vendin e 73-të me një medalje të argjendtë dhe një të bronztë, ndërsa Shqipëria u pozicionua e 80-ta, duke fituar dy medalje të bronzta.

Organizatorët e Olimpiadës shprehën kënaqësinë për suksesin e ngjarjes, duke theksuar se Franca ishte e bashkuar dhe e lumtur gjatë këtyre dy javëve të Lojërave Olimpike. Gjithashtu, u shënua një rekord në shitjet e biletave, me sportdashës që udhëtuan nga çdo cep i globit për të marrë pjesë në këtë ngjarje madhështore./UBTNews/

 

 

 

Exit mobile version