Pas gjashtë ditësh me aktivitete letrare, dje është mbyllur edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.
Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, duke sjellë mijëra tituj librash, promovime dhe takime me autorë. Mysafir nderi i këtij edicioni ishte shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.
Një ditë para mbylljes, u ndanë edhe çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.
Përfaqësues të shtëpive botuese vlerësuan interesimin e lexuesve, por theksuan se ndryshimi i datave të organizimit ka ndikuar në numrin më të vogël të vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara.
Në kuadër të panairit, lexuesit patën mundësi të përfitojnë nga oferta të shumta, tituj të rinj dhe zbritje të konsiderueshme, ndërsa interesim të veçantë pati për librat akademikë, teknologjinë, inteligjencën artificiale, si dhe literaturën për fëmijë.
Panairin e Librit “Prishtina 2026” e vizitoi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci./rtk/
/A.K/
