Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka ndërmarrë një aksion të gjerë kontrolli, duke realizuar 98 inspektime të përbashkëta në qendrat e masazhit dhe lokalet e muzikës në të gjithë territorin e vendit.
Siç njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi, prej të cilave dy në Komunën e Gjakovës dhe një në Komunën e Rahovecit.
Përveç mbylljes së këtyre lokaleve, IQMT ka shqiptuar edhe pesë gjoba ndaj subjekteve të tjera ekonomike që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar ligjor gjatë procesit të inspektimit.
Nga ministria theksojn se me qëllim të garantimit të ushtrimit të ligjshëm të veprimtarive ekonomike, IQMT në koordinim me institucionet përgjegjëse do të vazhdojë organizimin e aksioneve të tilla në të gjithë vendin. /E.A/
