Policia e Kosovës ka njoftuar se nga ora 15:00 do të mbyllen përkohësisht për qarkullim rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri” në kryeqytet, për shkak të protestës gjithpopullore që do të mbahet sot nga ora 16:00.
Protesta organizohet në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, varësisht nga zhvillimet në terren dhe lëvizja e pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të trafikut edhe në rrugë të tjera ndërlidhëse.
“Sipas planifikimeve policore, prej orës 15:00 rrugët të cilat do të mbyllen përkohësisht për qarkullim në kryeqytet janë: ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Enver Zymeri’, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, Policia e Kosovës bën të ditur se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve
