Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar gjatë javës së kaluar 166 inspektime të rregullta në tregun e brendshëm dhe në zonat doganore, duke shqiptuar 24 gjoba dhe duke mbyllur shtatë lokale për mungesë të dokumentacionit përkatës.
Nga totali i kontrolleve të kryera, 74 lëndë janë përmbyllur, ndërsa 92 të tjera kanë mbetur në procedurë për plotësimin e dokumentacionit shtesë apo eliminimin e parregullsive. Inspektimet janë shtrirë në disa fusha, ku prijnë ato në konsumin e përgjithshëm (81), sigurinë e produkteve (38) dhe mbikëqyrjen e naftës e derivateve të saj (28), ndërsa janë kryer edhe 22 kontrolle në tregtinë online, verifikime të peshoreve në furra buke e mishtore, si dhe kontrolle në sektorin e produkteve elektronike.
Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë shqiptuar gjoba kryesisht për mospërputhje të çmimeve (7), mungesë të faturave të prejardhjes së produkteve (6), shkelje në shitjet online (3), mosrespektim të orarit të punës (3) dhe mungesë të çmimoreve (2). Gjithashtu, janë kryer tre sekuestrime të mallrave pa dokumentacion të prejardhjes dhe janë ndaluar për shitje disa produkte të tjera deri në verifikimin e dokumenteve.
Paralelisht, IQMT-ja ka zhvilluar 26 inspektime të përbashkëta me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore (ATK) dhe Inspektoratin Qendror të Punës (IQP) te ofruesit e shërbimeve të masazhit dhe lokalet e natës, si dhe katër kontrolle me Inspektoratin Farmaceutik për mbikëqyrjen e çmimeve të barnave.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar në zbatimin e legjislacionit në fuqi, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë dhe transparencës në treg”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni, ku bëhet e ditur se gjatë javës së fundit janë trajtuar me sukses edhe 30 ankesa të konsumatorëve. /E.A/
