UBT News

Avokati i Veselit: ZPS-ja po përdor dëshmitë e pasluftës sepse nuk ka prova për periudhën e luftës

Në Gjykatën Speciale në Hagë, mbrojtja e Kadri Veselit ka argumentuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po tenton të përdorë zhvillimet e pasluftës për të mbuluar mungesën e provave gjatë periudhës së luftës.

Avokati Rodney Dixon ka sqaruar para trupit gjykues se dëshmitë që lidhen me Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) i përkasin një periudhe shumë më të vonshme se ajo e pretenduar në aktakuzë.

Gjatë fjalës së tij, Dixon deklaroi se: “Dëshmia e Veselit, së cilës ata i referohen, ka të bëjë me SHIK-un pas luftës, ku ai përshkruan zhvillimet në periudhën pasluftës në gjysmën e dytë të vitit ’99 dhe pastaj në vitin 2000 deri në zhbërjen e strukturës së SHIK-ut në vitin 2008. Veseli shprehet se kapacitetet e SHIK-ut si strukturë në fillim ishin të kufizuara sa i përket numrit dhe trajnimeve, dhe vetëm më vonë, në gjysmën e dytë të vitit 2000, kishin filluar një bazë të strukturës që funksiononte në mënyrën e duhur sa i përket operacioneve.”

Më tej, mbrojtja u ndal edhe te dëshmitë e bashkëluftëtarëve të tij, duke specifikuar se asokohe nuk kishte trajnime të mirëfillta të inteligjencës.

Avokati përmendi se: “Për këtë dha dëshmi edhe Jakup Krasniqi, se ai ishte rekrutuar në verën e vitit 2000 dhe në dëshminë e tij ai tha se kur bëri trajnimin e parë nga miqtë ndërkombëtarë, ishte trajnimi i parë që kishte të bëjë me shërbimet e zbulimit.” Në mbyllje të argumentit të tij, Dixon akuzoi ZPS-në për mungesë faktesh konkrete për periudhën e konfliktit, duke theksuar se: “Pra, e gjitha kjo është pas lufte dhe ajo çfarë bëri ZPS-ja është se kaloi në periudhën e pasluftës, sepse nuk kanë asgjë gjatë luftës.”

Mbrojtja e Veselit kërkon hetim të thellë për dokumentet e Beogradit

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me provat që dorëzohen nga autoritetet serbe në procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.

Ai ka kërkuar që çdo material që vjen nga Beogradi t’i nënshtrohet një analize të rreptë për të vërtetuar origjinën dhe vërtetësinë e tij, duke insistuar se Prokuroria ka detyrim të verifikojë çdo detaj përpara se t’i paraqesë ato si prova.

“Duhet kushtuar rëndësi e veçantë dokumenteve që u janë dhënë autoriteteve e sigurisht që do t’i cekim shënimet dhe dokumentet; duhet trajtuar po ashtu edhe autenticiteti, zinxhiri i ruajtjes e të tjerë. Dhe, sipas Dhomës së Apelit, është shumë e rëndësishme që të shikohen me shumë imtësi provat që janë dhënë nga autoritetet e Beogradit lidhur me përgjimet dhe dokumentet e tjera, dhe kjo është një gjë që duhet ta bëjë realisht prokuroria. Është tjetër gjë t’i japësh të gjitha dokumentet në grup pa vënë në diskutim asnjë prej tyre, por është tjetër gjë të shohësh me hollësi se çfarë origjine kanë këto dokumente dhe çfarë autenticiteti; kjo si punë duhet të bëhet absolutisht me shumë hollësi.”, tha avokati i Veselit

Dixon: ZPS po përdor dokumente pa vërtetësi nga frika e dëshmitarëve

Gjatë seancës gjyqësore në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka hedhur akuza të rënda ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e cilësuar qasjen e tyre për nxjerrjen e provave si tërësisht jo logjike.

Dixon argumentoi se prokuroria po tenton të fusë dokumente si prova pa i ballafaquar dëshmitarët me to, pasi sipas tij, prokurorët janë të pasigurt për atë që mund të thuhet në sallë.

“Sigurisht kur je i frikësuar se çfarë mund të thotë dëshmitari, është më e sigurt që të kërkosh pranimin e provave jo gojore,” u shpreh ai, duke kujtuar se shumë dëshmitarë kanë deklaruar se nuk dinë asgjë për dokumentet që u janë treguar.

Avokati theksoi se ZPS-ja ka për detyrë të vërtetojë autenticitetin e çdo materiali, por në vend të kësaj po tenton të shmangë lidhjen direkte midis dëshmisë dhe dokumentit.

Sipas Dixon, prokuroria po aplikon standarde të dyfishta, duke kundërshtuar dokumentet e mbrojtjes kur nuk i volit, ndërsa insiston në vërtetësinë e dokumenteve të veta pa asnjë bazë solide: “ZPS-ja e ka për detyrë të tregojë që këto janë dokumente autentike në qoftë se duan të mbështeten në vërtetësinë e përmbajtjes së tyre.”

Mbrojtja e Veselit nis fjalët përfundimtare

Pas përfundimit të mbrojtjes së Hashim Thaçit, procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Para trupit gjykues, Veseli po përfaqësohet nga avokati i tij, Rodney Dixon, i cili po shpalos argumentet përmbyllëse kundër akuzave të Prokurorisë.

Ky proces po zhvillohet në një moment kyç, pasi vetëm një ditë më parë ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi mbylli zyrtarisht fjalën e tij përfundimtare.

Të dy udhëheqësit, së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po gjykohen për pretendimet mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse nga të gjitha ekipet e mbrojtjes, trupi gjykues do të tërhiqet për të shqyrtuar provat përpara shpalljes së aktgjykimit.

Exit mobile version