Albian Hajdari ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar nga Lugano te Hoffenheim, klub që garon në elitën e futbollit gjerman – Bundesliga, një nga pesë ligat më të forta në Evropë.
Mbrojtësi 22-vjeçar, i cili ka qenë një nga figurat më të dalluara te Lugano gjatë sezoneve të fundit, konsiderohet si një ndër talentët premtues të futbollit zviceran. Megjithëse kishte pasur pritshmëri për një transferim drejt Ligës Premier, Hajdari ka përfunduar në Gjermani, ku do të jetë pjesë e një skuadre që tashmë ka në përbërje edhe dy lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare: Fisnik Asllanin dhe Leon Avdullahun.
Transferimi i tij te Hoffenheim erdhi në një moment kur klubi kishte nevojë për përforcim në repartin e mbrojtjes, pas një lëndimi serioz të qendërmbrojtësit japonez Koki Machida.
Hajdari është formuar fillimisht në akademinë e Basel dhe më pas ka kaluar edhe te Juventusi, përpara se të kthehej në Zvicër dhe të bashkohej me Luganon në vitin 2022. Që nga ajo kohë, ai është bërë pjesë kyçe e skuadrës dhe ka grumbulluar mbi 100 paraqitje në të gjitha garat – 91 prej tyre në Superligën zvicerane, si dhe 11 në Ligën e Konferencës dhe Kupën e Zvicrës.
Pas zyrtarizimit të transferimit, Hajdari deklaroi: “Mezi pres ta filloj sfidën te Hoffenheim dhe në Bundesligën gjermane, një nga top-ligat evropiane. Bisedimet me drejtuesit e klubit ishin shumë të mira. Synimi im është të jap gjithçka në fushë dhe të kontribuoj për realizimin e objektivave të skuadrës.”