UBT News

“Mbretëresha” ishte fjala e vitit 2022 në Britani të Madhe

“Mbretëresha” ishte fjala e vitit e fëmijëve në Britani të Madhe për vitin 2022.

Gjysma e fëmijëve që u anketuan nga Oxford University Press (OUP) zgjodhën fjalën “Mbretëresha” si fjalën e tyre të vitit. Në vendin e dytë renditet fjala “lumturi” që u zgjodh nga 36% e fëmijëve, dhe në vendin e tretë fjala kaos, me 14%.

Kur u pyetën pse zgjodhën Mbretëreshën, fëmijët përmendën trishtimin dhe humbjen, si dhe ndjenjat e krenarisë në lidhje me monarken e ndjerë, sipas OUP. Kishte dallime edhe mes gjinisë. 52% e vajzave zgjodhën fjalën “Mbretëreshë” krahasuar me 39% të djemve.

Sipas Analizës së Korpusit të Fëmijëve nga Oksford, që përmban mbi gjysmë miliardi fjalë, Mbretëresha Elizabetë ishte rregullisht në topdhjetëshen e njerëzve të famshëm për të cilët fëmijët kanë shkruar gjatë viteve.

Helen Freeman, drejtore e Oxford Children’s Books, tha: “Nuk është për t’u habitur që ‘Mbretëresha’ është fjala e vitit për fëmijë për vitin 2022. Kjo jo vetëm që pasqyron 70 vitet e shërbimit të jashtëzakonshëm të Madhërisë së saj, por gjatë dekadës së fundit kërkimet tona në vazhdimësi treguan se sa janë adaptuar fëmijët me lajmet dhe ndikimin që kanë çështjet aktuale në gjuhën e tyre. Ne duhet që të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e gjuhës dhe të sigurojmë që fëmijët të kenë qasje në një gamë të gjerë fjalori në mënyrë që të ndihen të pajisur për të përpunuar dhe diskutuar lajmet”.

Miranda McKearney, themeluesja e EmpathyLab, tha se zgjedhja e fjalës “Mbretëresha” tregon se sa të prekur emocionalisht janë fëmijët nga vdekja e saj.

Në hulumtim u pyetën fëmijët edhe se si ndihen për nisjen e vitit të ri, 48% e tyre thanë se kanë shpresë për gjëra më të mira dhe 29% janë të emocionuar. Megjithatë 14% nga ta thanë se janë të shqetësuar./UBTNews/

Exit mobile version