Mbretëresha e Danimarkës, Margrethe II ka kërkuar falje vetëm disa ditë pasi ua hoqi disa tituj mbretërorë katër nipërve e mbesave të saj.
Në fund të shtatorit, Margrethe, monarkja më jetëgjatë e Evropës, njoftoi se fëmijët e djalit të saj më të vogël, princit Joachim, nuk do të quhen më princ ose princeshë nga 1 janari i vitit të ardhshëm – një titull që ata e mbajnë aktualisht.
Shtëpia mbretërore daneze tha se vendimi i tyre erdhi në përputhje me ato të familjeve të tjera mbretërore evropiane, në mënyrë që fëmijët ta jetojnë jetën e tyre dhe të mos kufizohen nga mbretëria.
Lëvizja shkaktoi përçarje publike në familjen mbretërore. Princi Joachim i cili jeton në Paris me gruan e tij të dytë, princeshën Marie, në prononcim për mediat daneze shprehu zhgënjimin e tij ndaj vendimit. Djali i tij i madh, princi Nikolai u tha gazetarëve danezë se ishte i tronditur, i trishtuar dhe i hutuar nga veprimet e gjyshes së tij./UBTNews/