UBT News

Mbrëmje muzikore polake në Prishtinë

Në shënim të Ditës së Kushtetutës së Polonisë, më 3 maj, dhe në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë, Filharmonia e Kosovës solli për publikun e Prishtinës Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës.

Mbrëmja u hap nga drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, i cili për fjalët përshëndetëse ftoi Mateusz Prendotën, drejtor i Filharmonisë së Krakovës, dhe Drilon S. Gashin, ambasador i Republikës së Kosovës në Varshavë. Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore dhe roli i shkëmbimeve artistike në forcimin e miqësisë mes Kosovës dhe Polonisë.

Në një atmosferë të veçantë, muzikantët Joanna Konarzewska, Zuzanna Frankiewicz, Jan Czyżewski dhe Martyna Sołtys interpretuan dy vepra të rëndësishme të repertorit polak për kuartet harkor: “Kuarteti Harkor Nr. 2, Op. 42” nga Władysław Żeleński dhe “Kuarteti Harkor Nr. 3” nga Grażyna Bacewicz.

Mbrëmja konfirmoi edhe një herë rolin e artit dhe kulturës si ura të fuqishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe dëshmoi përkushtimin për thellimin e pranisë kulturore polake në Kosovë.

Exit mobile version