UBT News

MBPZhR: Koha më e mirë për mbjelljen e grurit është periudha ndërmjet 5 dhe 30 tetorit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes një njoftimi ka ftuar fermerët për përgatitje të mbjelljes së grurit.

“Koha më e mirë për mbjelljen e grurit është periudha ndërmjet 5 dhe 30 tetorit, madje edhe më vonë nëse lejojnë kushtet atmosferike. Gruri i mbjellë në kohë të mirë do të kalitet”, thuhet në njoftim.

MBPZhR ka theksuar se, mënyra më e keqe e mbjelljes është mbjellja me dorë, për këtë arsye rendimentet zvogëlohen, andaj duhet mbjellë me makinë mbjellëse. Po ashtu, keni kujdes në përzgjedhjen e farës dhe plehut cilësor! Bashkëpunoni me ekspertët komunalë dhe me ekspertë të shitjeve të imputeve.

Njoftimi i plotë:

Fermerë të nderuar,

Po i afrohemi afatit optimal për mbjelljen e Grurit. Në vendin tonë, gruri është kultura që zënë sipërfaqen më të madhe të kultivimit, mirëpo edhe përkundër këtij fakti, ne ende importojmë një sasi të konsiderueshme të grurit. Një faktor me rëndësi i kësaj gjendje është edhe rendimenti i ulët i sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Rendimentet e ulëta që realizojmë në Kosovë janë pasojë e disa faktorëve ku ndër më të rëndësishmit janë mospërdorimi i agroteknikës adekuate, përdorimi i farërave jo cilësore për mbjellje dhe harmonizimi jo i drejtë i racioneve ushqyese të bimëve sipas fazave të rritjes dhe zhvillimit të tyre.

Fermerët vendor prodhimin e grurit duhet ta mbështesin në zbatimin e teknologjive të reja kultivuese dhe në zbatimin e masave të përkujdesjes gjatë periudhës vegjetative konform kalendarit agronomik.

Shërbimi këshillimor bujqësor rural i Kosovës, ju rekomandon, se tani është momenti më i volitshëm për përgatitjen e tokës për mbjellje pas shirave të fundit.

Ju rekomandojmë qe të përcillet koha dhe të gjeni momentin më të volitshëm për lëvrimin dhe përgatitjen e tokës varësisht nga lloji i tokës dhe vendi ku është planifikuar mbjellja.

Pas thatësisë së gjatë verore, shiu i ditëve të fundit ka qenë i mirëseardhur. Shfrytëzojeni kohën e volitshme që të përgatisni tokën për mbjellje të tërë sipërfaqes së planifikuar për mbjellje.

Përmes lëvrimit me kohë dhe kualitativ të tokës për grurë mundësojmë rritjen dhe zhvillimin optimal, prandaj në procesin teknologjik të prodhimtarisë së grurit vlerë të madhe ka ndërmarrja dhe zbatimi kualitativ i lëvrimit të tokës.

Koha më e mirë për mbjelljen e grurit është periudha ndërmjet 5 dhe 30 tetorit, madje edhe më vonë nëse lejojnë kushtet atmosferike. Gruri i mbjellë në kohë të mirë do të kalitet.

Mënyra më e keqe e mbjelljes është mbjellja me dorë, për këtë arsye rendimentet zvogëlohen, andaj duhet mbjellë me makinë mbjellëse. Po ashtu, keni kujdes në përzgjedhjen e farës dhe plehut cilësor! Bashkëpunoni me ekspertët komunalë dhe me ekspertë të shitjeve të imputeve.

Për informata shtesë mund të kontaktoni këshilltarët në teren ku në secilën komunë mund të lajmëroheni në Drejtorinë – Zyrën për Bujqësi, ose në zyrën qendrore të Shërbimit Këshillimor.

Exit mobile version