Xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila vazhdon të mbetet frymëzim për të rinjtë e të rejat e Kosovës, së fundi u është drejtuar vajzave të Kosovës me një letër.
Në këtë mënyrë, ajo flet për sfidat dhe vështirësitë, por mbi të gjitha ajo shtyn gratë e vajzat e vendit tonë, të ndekin ëndrrat sepse mund të ja dalin!/UBTNews/
Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të publikuar në “Jahjaga Foundation”:
Të dashura vajza të Kosovës,
Rrugës së kthimit nga Tokio, po mendoja se çfarë do t’iu thosha në këtë letër. Kthimi nga Lojërat Olimpike kësaj here për mua ishte më ndryshe se herën e kaluar. Gjatë gjithë rrugës për në shtëpi pata reminishenca të të gjithë karrierës sime si sportiste. Më kujtohej çdo moment, nga kur fillova e deri te gara e fundit e 26 korrikut.
Kësaj here stërvitjet për olimpiadën ishin më intensive se asnjëherë për shkak se rrugëtimi për një tjetër olimpiadë kërkonte përgatitje e motivim edhe më të madh. Çdo ditë ishte tejet sfiduese, por prapë vendosa të kaloja nëpër të njëjtën rrugë sërish, me synimin e një “të arte” të dytë.
Pse do të pyesnit?
Është dëshira për sukses. Dëshira për t’i sjellë vendit tim edhe një tjetër moment historik sikur ai i vitit 2016. Nuk ka asgjë që më bën të ndjehem më e përmbushur se kjo. Dhe e kisha parasysh që përgatitjet për një tjetër olimpiadë do të ishin shumë të vështira.
Sa herë që reflektoj rreth karrierës sime, e kuptoj se xhudo është ajo që di ta bëj më së miri. Kjo është jeta ime dhe gjithmonë në momente të vështira e sfiduese, ia kujtoj vetes se si nisi gjithçka.
Kosova sapo kishte dalë nga lufta. Qyteti ku isha rritur po i vuante pasojat e një shkatërrimi të madh. Isha tetë vjeçe dhe ditët i kaloja në lagje bashkë me fëmijët e tjerë. Loja me njëri tjetrin është e gjitha që e kishim ato ditë. Ndoshta ne s’e kuptonim mirë se çfarë po ndodhte me vendin tonë, por e kuptuam kur u kthyem – gjërat ishin ndryshe.
Unë s’kam qenë tip sportiv. Më kujtohet që afër në lagjen tonë ka qenë një klub i xhudos por unë vetëm e kam parë nga distanca sa herë më ka rënë të kaloj andej pari. Si shumë shtëpi të qytetit të Pejës, edhe atë objekt lufta e la të djegur.
Por më kujtohet që nga ndërtesat e para që u rregulluan në lagje ishte po ai klub. Mua s’më ngjallte asnjë lloj interesi. Ndërsa motrës time Kaltrinës po. Madje si motra më e madhe që ishte, më detyroi të shkoja me të në stërvitje në një sport luftarak për të cilin unë s’dija as edhe një gjë e madje as nuk më ngjallte minimumin e interesit.
Për t’ia bërë qejfin motrës shkoja çdo ditë me të në stërvitje. S’ishim vetëm ne të dyja. Plot shokë e shoqe të mëhallës ishin aty me ne dhe dita ditës, shkuarja në klub u bë shprehi.
Aty e njoha Toni Kukën. Ai na mësonte lëvizjet bazike të këtij arti marcial dhe papritmas gjithçka rreth xhudos nisi të më dukej jashtëzakonisht e bukur . Isha ende fëmijë ama ky sport më dha një mision në jetë. Rutina ishte shkollë e stërvitje – shkollë e stërvitje, një cikël që përsëritej e përsëritej dhe mua ma bënte përditshmërinë çdo herë e më me kuptim.
Isha tejet e vogël për të menduar për gara. Në fakt, as që e dija se në xhudo zhvilloheshin gara ndërkombëtare e moshatarët e mi garonin me njëri tjetrin anembanë botës. Ne zhvillonim luftëra vetëm mes njëri tjetrit në klub. S’e mbaj në mend të kishte dikush ndonjë ambicie përpos të ktheheshim në lagje pas stërvitjeve, ta luanim edhe lojën e fundit të mbrëmjes e të iknim në shtëpi për darkë.
Mirëpo një ditë Toni na tha se do të shkojmë në Bosnje. As që e dija ku i binte, por tingëllonte kënaqësi. Të gjithë do udhëtonim me autobus, do shkonim në një vend larg Pejës dhe na u tha se do bënim gara. Ne u gëzuam shumë sepse fundja do kënaqeshim…
Ky udhëtim më dha të kuptoja se xhudon nuk e praktikonim vetëm ne. Ishte një botë e tërë mundësish. Njoha garues të tjerë që s’ishin miqtë me të cilët isha rritur. Pashë se ka klube të panumërta që stërviten për gara dhe diçka të tillë duhej ta bënim edhe ne.
Pjesa tjetër është histori.
E kuptova se çfarë doja të bëja në jetë, ndonëse rruga ishte e pasigurt. Unë vija nga Kosova dhe ushtroja në një sallë që s’i ofronte as kushtet minimale për ta përgatitur një sportist për gara ndërkombëtare. Por ne e kishim një gjë që s’e kishte askush që e kisha takuar deri atëherë – motivin për sukses.
Për më tepër një vajzë xhudiste? Tingëllonte pothuajse e pamundur.
Djemtë ishin ata që perceptoheshin si më luftarakë e më të aftë për këtë sport. Madje edhe në botë sporti i xhudos deri vonë ishte i dominuar nga burrat. Madje në Lojërat Olimpike, për këtë sport për herë të parë është zyrtarizuar pjesëmarrja e vajzave vetëm në vitin 1992, kur olimpiada u mbajt në Barcelonë. Kjo u bë 28 vjet pasi xhudistët djem po merrnin pjesë në Lojëra Olimpike – qysh nga olimpiada e Tokios së vitit 1964.
Ndërsa ne vajzat e lagjes, me Tonin ushtronim çdo ditë. Nuk kam munguar asnjëherë në stërvitjet e rregullta. Edhe po u sëmura, e kisha të pamundur ta bindja veten se duhet të qëndroj në shtëpi sepse më ka rënë gripi. Ne e kishim një mision dhe rruga për ta përmbushur pavarësisht pengesave, ishte e pakthim.
Në vitin 2009 kur isha 18 vjeçare, e fitova Medaljen e Artë në Kampionatin Botëror në Paris të Francës. Deri në këtë moment, garat në të cilat kisha marrë pjesë ishin të panumërta. Të gjitha më përgatitën për betejat më të vështira që më prisnin në të ardhmen.
Rrugëtimi im është i mbushur me lot e net pa gjumë. Me momente kur në tapetin e sallës Ippon në Pejë kam luftuar me presionin e brendshëm për të hequr dorë sepse ndoshta s’do t’ia dal. Tani e kuptoj se gjithçka që më ka ndodhur, është dashur të më ndodhte për të qenë kjo që jam sot.
Gjatë tërë karrierës isha në një cikël konstant përgatitjesh për gara. Synim e kisha olimpiadën dhe përfundimisht, luftova për medalje kur isha 21 vjeçare në Lojërat Olimpike në Londër në vitin 2012. Kosova s’ishte pjesë e Komitetit Olimpik por gjithsesi unë shkova në Britani të Madhe. Shteti i Shqipërisë më pajisi me nënshtetësinë shqiptare dhe ma dha mundësinë ta përfaqësoja flamurin kuq e zi në olimpiadën londineze.
Luftuam shumë që në Londër në veshjet ‘Judo gi’ ta kisha flamurin e Kosovës dhe kjo nuk ndodhi. Diçka tjetër që nuk ndodhi ishte një medalje nën emrin tim e atë të Shqipërisë. Zhgënjimi ishte i madh. Po luftoja me ndjenjat e mia çdo ditë pas luftës që e humba me xhudisten nga Mauritius, Christianne Legentil.
Kjo ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime. S’e dija a dua të merrem më me xhudo. Edhe para se të shkoja në Londër shkova me presionin e opinionit publik dhe tërësisht e papërvojë për sfidën që më priste në garë, e edhe pas saj.
Nuk isha e gatshme t’i përballoja komentet negative. Paarsyeshmërisht më bënte përshtypje çdo fjalë që thuhej për mua. Dhe ky ishte gabim.
Më kujtohet që pas garës shkova me pushime në Durrës me familjen time. Në plazh një burrë më njohu dhe mu afrua e më tha: “Po si na turpërove moj Majlinda?”
Kam qenë aq e thyer emocionalisht që s’mund të diskutoja ose të flisja me askënd. Dhe këtu e mora një mësim. E kuptova që duhej të fokusohesha vetëm te gara dhe të mos e shpërqendroja energjinë time askund tjetër.
Mendimet se a ta lë sportin? Mu larguan me automatizëm. E mora veten dhe nisa zgjimet në 5 të mëngjesit për stërvitje. Tonin e kisha gjithmonë afër dhe vendosa të luftoja edhe me limitet e mia për të arritur aty ku doja – për veten time dhe për vendin tim.
Një vit më vonë mora pjesë në Kampionatin Botëror në Rio de Janeiro. U ktheva me titullin kampione e botës. Në garën finale ku u shpërbleva me medalje të artë, luftova me brazilianen Erika Miranda. Lufta ishte e vështirë por kisha besim të plotë që titulli ishte i imi. Dhe në gjysmë të ndeshjes e mposhta kundërshtaren.
Nga ky vit, nuk kam marrë pjesë në ndonjë garë e të jem kthyer pa medalje. Motivi ishte i madh dhe tashmë e kisha ndërtuar profilin e një sportisteje të nivelit të lartë dhe duhej ta mbaja medoemos këtë nivel.
Dhe erdhi Rio de Janeiro, 2016…
Isha përgatitur për vjet të tëra për këtë garë olimpike. Doja të shkruaja histori dhe kjo më motivonte edhe më shumë. Do parakaloja në olimpiadë duke e valëvitur flamurin e vendit tim. Më ishte ofruar disa herë që të garoja për shtete të tjera edhe për shuma marramendëse parash. Mirëpo asgjë nuk e lëkundte qëllimin tonë.
E mendoja lagjen time, malet e Pejës në të cilat kisha ushtruar mëngjeseve të ftohta dhe çdo sfidë që si klub e kishim për të arritur në pikën ku ishim. Dhe Kosova, gjithmonë ishte zgjedhja ime e vetme. Doja që flamurin e shtetit tim ta shihja në piedestal.
Të garoja nën ngjyrat e Kosovës ishte krenari dhe privilegj.
Gjithçka që kishim bërë si ekip deri atëherë ma jepte sigurinë e plotë që do të triumfoja. Para olimpiadës kam kaluar net të tëra pa gjumë. Ne kishim punuar shumë në teknikat e luftës dhe tani e kisha pjekurinë që kërkohej për ta fituar garën më të rëndësishme të jetës sime.
Asnjëherë s’më ka rrahur zemra më fort se me 7 Gusht të 2016-tës. Kur hyra në garë me italianen Odette Giuffrida, vetëm katër minuta më ndanin nga realizimi i ëndrrës jetësore. Asgjë s’do të më ndalte dhe medalja ishte e imja – këtë ia bëra vetes të qartë që nga momenti që e kuptova se jam në finale.
Deri këtu mund ta përshkruaj çdo ndodhi të jetës sime me fjalë. Por momentin e fitores, jo. U përfshiva nga emocionet më të forta që mund t’i ndjejë një njeri. Kam derdhur lot gëzimi dhe ajo që po ndodhte më duhej si ngjarje e një bote tjetër dhe sikur s’po më ndodhte mua.
Natën e fitores e kam kaluar duke i parë videot e garës dhe fotografitë – sikur më duhej ta bindja veten që “Po Majlinda, ti je kampione olimpike. Ti e fitove garën. Ti ishte aty, nuk është ëndërr”.
Teksa po ju drejtohem juve, po më vijnë ndërmend të gjitha vështirësitë që kam kaluar. Gjatë karrierës jam lënduar fizikisht aq shumë sa më pamundësoheshin stërvitjet e edhe pjesëmarrja nëpër gara. Mjekët në Prishtinë më thoshin se nëse nuk e lë sportin tani, trupi im s’do ta përballojë më dhe se rrezikoja të paralizohem.
Ata flisnin dhe më dukej sikur s’e kishin me mua. Besimi në veten dhe të ardhmen time, më mbajti në sport. E kisha bindjen që gjithçka në karrierë do të shkonte mirë. Isha tejet e kujdesshme me stërvitjet dhe mundohesha që ta shfrytëzoja në maksimum çdo potencial timin.
Mua më motivon suksesi. Më pëlqen të dominoj e të tregoj sukses sepse e di se ashtu i bëj të lumtur njerëzit që më kanë përkrahur në gjithë rrugëtimin tim. E dua suksesin tim edhe për vendlindjen time.
Muret e palestrës sonë në Pejë mund të mos jenë më të bukurat, e as dyshemetë mund të mos jenë të duhurat. Por unë doja t’i tregoja botës e edhe rinisë së Kosovës, që s’ka justifikime. Infrastruktura e mirë e miliona investime, ishin rrethanore. Doja ta dëshmoja se një kampione olimpike nga Kosova është e mundur.
Të dashura vajza,
Për çdo rrugë që e zgjidhni ta ndiqni në jetë, kam vetëm dy gjëra për t’ua thënë: punoni shumë dhe mos hiqni dorë edhe atëherë kur gjërat duken të pamundura.
Zhgënjime do të ketë. Edhe dyer të mbyllura dhe grupe njerëzish që do t’ua bëjnë rrugën vështirë të kalueshme. Mirëpo kjo është e bukura. Çdo sfidë e kaluar shndërrohet në mësimin e radhës.
Mblidhni vështirësitë dhe shndërrojini në forcë. Guxoni të ëndërroni dhe vraponi fuqishëm pas ëndrrës tuaj.
Dikur shpresoja që të mos jem e vetmja medaliste e artë e Kosovës. Nga Tokio u kthyem edhe me dy medalje të arta. Tani Kosova i ka tri. Nuk mund të isha më e lumtur e më krenare se kaq, meqë Nora e Distria u bënë të arta nga olimpiada e fundit.
Besoj fuqishëm që unë kam qenë vetëm e para e shumë medaljeve të arta që do të vijnë për Kosovën.
E juaja,
Majlinda Kelmendi