Kryesia e Kuvendit është mbledhur sot për të koordinuar punët dhe për të caktuar pikat që do të shqyrtohen në seancën e ardhshme plenare.
Sipas procedurës, deputetët fillimisht do të kalojnë nëpër fazën e deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, për të vijuar me vendimmarrje të rëndësishme, raporton Ekonomia online.
Në fokus të kësaj seance pritet të jetë ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë me agjencitë zhvillimore franceze e gjermane, që prekin sektorët e energjisë, klimës dhe transportit.
Një tjetër temë me interes publik është edhe propozim-rezoluta për shtrenjtimin e naftës, ku do të diskutohet roli i Qeverisë përballë rritjes së kostos së jetesës.
Gjithashtu, agjenda përfshin zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Prokurorial, një rezolutë për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës së fundit, si dhe rregullimin e përbërjes së disa komisioneve parlamentare. /Ekonomia online/
