UBT News

Mblidhen komisionet parlamentare në Kuvend

Dita e sotme në Kuvendin e Kosovës do të jetë e ngjeshur me aktivitete parlamentare, meqë disa komisione do të mblidhen për të diskutuar ndryshimet e propozuara në buxhetin e vitit 2026, planet e punës për sesionin vjeshtor dhe nisma të tjera ligjore. Punimet nisin në orën 10:00, ku Komisioni për Kulturë do të trajtojë rishikimin e buxhetit në fushën e tij, Komisioni për Ekonomi do të diskutojë planin e punës vjeshtor, ndërsa ai për Shëndetësi do të miratojë fushëveprimin e vet.

Në orën 11:00, diskutimet buxhetore do të vazhdojnë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ndërsa Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Më pas, në orën 13:00, shqyrtimi i ndryshimeve buxhetore do të vijojë paralelisht edhe në tri komisione të tjera: atë për Mjedis e Bujqësi, për Arsim e Shkencë, si dhe për Administratë Publike e Media.

Dita e mbledhjeve do të përmbyllet në orën 14:00 nga Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese. Ky komision do të shqyrtojë publikimin e thirrjes publike për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. /E.A/

Exit mobile version