UBT News

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version