Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pesë prona të paluajtshme në formularin e pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas të dhënave, dy prej tyre janë të trashëguara nga familja, ndërsa tri të tjera janë siguruar përmes kredive bankare dhe kursimeve familjare.
Në mesin e pasurive të trashëguara përfshihen dy banesa në pronësi të bashkëshortes: njëra me sipërfaqe 118.20 m² me vlerë 120 mijë euro dhe tjetra 94.15 m² me vlerë 100 mijë euro, të dyja të regjistruara në vitin 2025. Po ashtu, Abdixhiku ka deklaruar një shtëpi prej 200 m², me vlerë 150 mijë euro, të trashëguar nga prindërit që nga viti 1989.
Sa i përket pasurive të fituara me blerje, ai ka raportuar një shtëpi prej 214 m², të blerë në vitin 2014 përmes kredie dhe kursimeve, me vlerë 200 mijë euro. Gjithashtu, një banesë prej 174 m², e blerë në vitin 2023 përmes kredie bankare, është deklaruar me vlerë 265 mijë euro. Këto dy prona janë në pronësi të përbashkët.
Në total, vlera e pasurive të paluajtshme të deklaruara arrin rreth 835 mijë euro.
Në deklarim përfshihen edhe pasuri të luajtshme. Abdixhiku ka raportuar një veturë Mercedes-Benz, të blerë në vitin 2019 me kredi, me vlerë 25 mijë euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes.
Po ashtu, është deklaruar edhe zotërimi i 25% të aksioneve në kompaninë AMPERA GROUP, të regjistruara më 15 prill 2024, me vlerë të deklaruar zero euro dhe në pronësi të bashkëshortes.
Sa i përket mjeteve financiare, kursimet familjare të raportuara arrijnë në rreth 9,594 euro.
Ndryshe, në deklarimin paraprak për vitin 2025, Abdixhiku kishte raportuar katër prona të paluajtshme.

