Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës.
Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën, më 10 qershor 2026, deri në orën 10:00 janë shqyrtuar më shumë se 7 mijë pako. Prej tyre, 7,153 janë miratuar për procesin e mëtejmë, ndërsa 142 janë refuzuar.
KQZ ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe u dërgohet votuesve të regjistruar për votim përmes postës. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako.
Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votues të regjistruar. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit.
Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur tërheqja e pakove me fletëvotime nga 23 kuti postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë. Nga këto kuti janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë për verifikim dhe numërim. /E.A/
