U.d kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka deklaruar se deri më tani janë përfunduar 7 mijë e 643 intervista sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimeve, porse sfidë mbetet komuniteti serb në disa pjesë të vendit, pasi siç tha ai, ende nuk kanë filluar në atë pjesë.
Kastrati në një konferencë për media të hënën derisa ka njoftuar lidhur me ecurinë e punës në terren për regjistrimin e popullsisë, Ekonomive Familjare, dhe Banesave në Kosovë, ka theksuar se në veri për shkak të disa trajnimeve ende nuk ka filluar ky proces në atë pjesë të Kosovës.
“Gjatë këtyre ditëve në terren kemi angazhuar regjistrues, mbikëqyrës dhe një numër të madh të institucioneve tjera mbështetëse. Procesi është duke shkuar sipas planifikimit që kemi bërë më herët… Aktualisht kemi 98 për qind të regjistrueseve që kemi paraparë, ndërsa aktiv në terren janë rreth 90 për qind. Kemi disa sfida në angazhimin e regjistruesve të komunitetit serb në disa pjesë, jo në gjithë Kosovën dhe presim të tejkalohen… Ishim në pjesën veriore dhe presim që ditëve në vijim edhe ata do të angazhohen në regjistrim. Të gjitha aktivitetet kemi hyrë në fazën e grumbullimit të të dhënave në terren, pajisjet janë funksionale, njëkohësisht sistemi është duke funksionuar pasi ka qenë sfidë. Gjitha aktivitetet e parapara deri më tani janë në linjë me planin”, tha Kastrati.
Ai ka shtuar se nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë. Derisa ka njoftuar që ka qenë në vizitë në pjesën veriore të vendit, ai ka thënë se përfaqësuesit nga komunitetet serb kanë shprehur gatishmëri të popullsisë të regjistrohen.
“Që nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë, kanë pas për detyrë të shpërndajnë disa materiale informuese dhe që nga tani do të zhvillohen intervistat e plota sipas planit dhe rekomandimeve… Gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Kemi edhe institucione tjera ndërkombëtare që do ta monitorojnë procesin e regjistrimit… 5:04 Vet isha në pjesën veriore, dhe jemi takuar me përfaqësues të komunitetit serb dhe ka një gatishmëri edhe të popullsia të regjistrohen, kanë kërkuar disa dite afat qe te trajnohen dhe ne jemi dakord. Shpresojmë se do jenë në terren të grumbullojnë të dhëna. Popullsia është sfidë edhe për ata vet dhe presim të grumbullojmë të dhëna edhe për atë pjesë”, tha Kastrati.
I pyetur për thirrjen për bojkot nga Lista Serbe, ai ka thënë përveç ASK-së janë gjitha institucionet e përfshira, sidomos të sigurisë dhe gjyqësor. Poashtu është thënë se është angazhuar edhe juristi Mazllum Baraliu.
Ndërsa për këtë profesori Mazllum Baraliu ka thënë se është çështje e KQZ-së ta vlerësojë dhe të ndërmarrë hapat e duhur.
“Është çështje ligjore, dhe ka procedurë, procedurat e ligjit për vetëqeverisje lokale parashohin atë, dhe është çështje e KQZ-së që ta vlerësojë dhe pastaj të ndërmarrë hapat e duhur”, tha Baraliu.
Ndërkaq, Burim Limolli shef i IT-së në ASK, derisa ka treguar të dhënat, ka njoftuar se gjitha etnitetet janë duke marrë pjesë në këtë proces dhe sipas tij çdo gjë është nën kontroll nga sistemi i IT-së. I njëjti ka shtuar se kanë kërkuar që dy intervista të bëhen në ditë.
Kastrati ka thënë se aplikacioni është në katër gjuhë, shqip, anglisht, turqisht dhe serbisht.