Në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë ka vazhduar vaksinimi i personave mbi moshën 65 vjeç dhe marrja e dozës së dytë për personelin shëndetësor që kanë marrë dozën e parë në Kukës, raporton Ekonomia Online.
Gjatë së martës është vërejtur interesim më i vogël i atyre që kanë marrë vaksinën.
Afrim Hetemi tha se nuk ka pritur për tu vaksinuar dhe se sipas tij, procesi po shkon në rregull.
“Sot e morra vaksinën për të cilën kam aplikuar online dhe sot jam ftuar dhe nuk pat ndonjë parregullsi”.
“Më duket qe deri tani është në rregull pas asaj rrëmuje që ishte e paplanifikuar, kurse tash duket në rregull”, Hetemi.
Përderisa koordinatori i Qendrës së vaksinimit, Niman Bardhi në një konferencë për medie tha se numri total i të vaksinuar ka shkuar në mbi 58 mijë, përderisa në këtë qendër janë vaksinuar deri në orën 12:00, 140 persona.
“Siç po e shihni edhe sot po vazhdon vaksinimi i popullatës nga grupmosha mbi 65 vjeç e mbi dhe paralelisht edhe për personelin shëndetësor që kanë marrë dozën e parë në Kukës”.
“Aktualisht sa flasim janë vaksinuar mbi 500 të vaksinuar, ndërsa ne nivel vendi mbi 58 mijë persona të vaksinuar. Në sallën ‘1 Tetori’ aktualisht janë vaksinuar mbi 140 persona dhe janë duke pritur secili për kohën e vet”, tha Bardhi.