Mbi 40 përqind të bizneseve të sektorit të gastronomisë ende nuk i kanë marrë subvencionimin e premtuar nga Ministria e Financave për mbylljen e fundit si masë kundër pandemisë.
Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica thotë se gjatë mbylljes 12 ditore shumica e bizneseve nuk kanë operuar me shërbimet si ‘take away’ dhe ‘delivery’, ndërsa shton se mbi 10 milionë euro dëme kanë ndodhur në sektorin e gastronomisë.
Vranica në një intervistë për KosovaPress thotë se procesi i subvencionimit po prolongohet, teksa shton nëse nuk përfundon procesi i subvencionimit deri më 12 qershor, do të trokasin sërish në derën e Ministrisë së Financave.
“Mbi 40% të bizneseve raportojnë që nuk i kanë marrë ende as pagat dhe as qiratë”, thekson Vranica.
“Nuk e di a ka fonde të mjaftueshme lidhur me subvencionimin e kategorive tjera të mbetura që kanë aplikuar në bazë të kritereve të përcaktuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Mirëpo ka një numër të konsiderueshëm, sidomos nga sektori i gastronomisë po flas, ka mbi 40 përqind të bizneseve, të cilët raportojnë që nuk i kanë marrë ende as pagat dhe as qiratë e lokaleve të tyre. Andaj të shohim nëse brenda muajit do të kemi një subvencionim të tillë”, thotë ai.
Sipas tij, vendimi për zgjatjen e orarit të gastronomisë deri në ora 23:00 do të duhej të merrej dy javë më herët në mënyrë që tash të flitej për hapjen e tërësishme të industrisë.
Humbja e madhe e sektorit të gastronomisë gjatë pandemisë, e posaçërisht gjatë mbylljes, sipas Vranicës do të duhej të shërbente si ultimatum për subvencionimin me kohë të bizneseve të këtij sektori.
“Mbi 10 milionë euro dëme kanë ndodhur vetëm në gastronomi dhe gjendja epidemiologjike në vendin tonë përsëri ishte mbi 10 përqind, pas kalimit të 2 javëve, pas mbylljes 12 ditore”, thotë ai.
Vranica është për faljen e dënimeve për ata që shkelën masat anti-COVID, madje thotë se duhet të kompensohen edhe ata që tashmë kanë paguar këto dënime, sikurse që ka bërë Shqipëria.
“Duhet të ketë trajtim të barabartë të të gjithëve pa asnjë dallim dhe duhet të ketë një lloj proporcionaliteti të institucioneve sa i përket masave të tilla, duke pasur parasysh edhe karakterin retroaktiv të këtij projektligji që do të duhej të iniciohej. Duke pasur një karakter të tillë, atëherë, përveç faljes së dënimeve do të duhej të bëhej edhe kompensimi i dëmeve. Këtë e kanë praktikuar edhe vendet e tjera, siç është Shqipëria. Andaj, një gjë e tillë mund të merret edhe në Kosovë dhe do të ishte shumë e dobishme për përmirësimin e klimës afariste të bizneseve tona”, potencon ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati më 12 maj pati bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se po atë ditë është ekzekutuar pagesa për grupin e parë të punëtorëve që përfitojnë nga subvencionimi i pagave.
“Komisioni është duke shqyrtuar aplikacionet në vazhdimësi, ashtu që edhe grupi tjetër të procesohet të premten”, thuhej në këtë njoftim. /UBTNews