UBT News

Mbi 30 mijë euro të padeklaruara kapen në Bërnjak

Zyrtarët e Dogana e Kosovës kanë ndaluar mbi 30 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli të kryer në Pikën Kufitare të Bërnjak.

Sipas njoftimit, një automjet me targa të huaja është përzgjedhur për kontroll të detajuar në dalje të territorit të Kosovës. Ndonëse personat në automjet kishin deklaruar se nuk posedonin asgjë për deklarim, gjatë kontrollit të automjetit dhe një çante personale janë gjetur para të gatshme në euro dhe dinarë serbë.

Pas numërimit dhe verifikimit, autoritetet kanë konstatuar se vlera totale e mjeteve monetare arrinte në 30,328 euro, duke tejkaluar kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh që kërkon deklarim pranë Doganës.

Dogana ka bërë të ditur se një pjesë e shumës është konfiskuar, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e prejardhjes së parave. Rasti është dërguar për procedura të mëtejshme hetimore. /E.A/

Exit mobile version