Qeveria në detyrë ka ekzekutuar 20.9 milionë euro për mbi 17 mijë fermerë të Kosovës. Kështu ka njoftuar ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami.
Bajrami ka treguar edhe se janë paguar mbi 1.5 milionë euro për Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive.
“Gjatë këtyre ditëve, Qeveria e Kosovës ka përmbyllur me sukses ekzekutimin e pagesës prej 20.9 milionë euro për mbi 17,000 fermerë të Republikës së Kosovës. Pagesa e këtyre mjeteve – nga Programi për Rimëkëmbje Ekonomike – është përmbushje e plotë e zotimit tonë për dyfishimin e mbështetjes financiare për bujqësinë si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës. Gjatë muajit janar e deri në periudhën aktuale, nga PRE 2021, kemi mbështetur financiarisht të vetëpunësuarit, bizneset e grave, bujqësinë, shëndetësinë, policinë, kategoritë në asistencë sociale dhe pensionistët. Kemi paguar mbi 1.5 milionë euro për Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive. Rreth 45 milionë euro të paguara; mbi 280,000 përfitues. Faktet, fakte! Shteti. Shtet!”, ka shkruar Bajrami.