Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se vetëm brenda 6 ditëve që nga hapja e aplikimeve për subvencionim e teksteve shkollore në platformën e-Kosova, janë pranuar 144,337 aplikime, prej të cilave 73,064 janë verifikuar deri tani.
Sipas saj, procesi po zhvillohet pa pengesa dhe pa asnjë ankesë, duke dëshmuar funksionalitetin dhe transparencën e sistemit.
Ministrja fton prindërit dhe kujdestarët që ende nuk kanë aplikuar, ta bëjnë këtë sa më parë përmes platformës e-Kosova.
Për vitin shkollor 2025/2026, do të ndahen:
80 € për nxënësit nga klasa I deri në klasën V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore;
80 € për nxënësit nga klasa VI deri në klasën IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.
Tekstet shkollore për nivelin VI-IX , sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2016 për pajisjen, përdorimin dhe ruajtjen e tyre, do të përdoren nga gjenerata e kaluar.
Procesi i aplikimit këtë vit do të jetë shumë më i lehtë, pasi llogaritë bankare të prindërve janë aktive nga vitet paraprake. Ashtu si në dy vitet e kaluara, mjetet financiare do të transferohen në xhirollogaritë bankare të prindërve.
Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar në kohë dhe çdo aplikim do të verifikohet nga shkolla përkatëse përpara transferimit të mjeteve.