Mbi 14 mijë aplikacione për regjistrim kanë arritur deri sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga personat që duan të regjistrohen për votime në zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe prej tyre 10 mijë e 172 aplikacione janë aprovuar. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se deri më tani janë telefonuar 8 mijë votues në diasporë.
Kryeshefi i Sekretariatit në KQZ, Burim Ahmetaj tha se nga 14 mijë e 307 aplikacione që kanë arritur për regjistrim, është bërë vlerësimi i zotësisë juridike për 13 mijë e 138 prej tyre.
“Lidhur me periudhën e aplikimit për regjistrim dhe votim jashtë vendit deri më sot, raporti i referohet orës 12:00, në sistem janë të futura gjithsej 14 mijë e 307 aplikacione për regjistrim, prej tyre 13 mijë e 138 aplikacione është bërë vlerësimi i zotësisë juridike. Prej këtyre, të aprovuara janë 10 mijë e 172 aplikacione. Në statusin momental të refuzimit janë 2 mijë e 426 aplikacione për regjistrimin e të cilave duhet të dërgojnë dokumente mbështetëse, me qëllim të aprovimit”, tha ai.
Ndërsa janë rreth 68 mijë emaile ende të pa hapura, por u tha se gjatë verifikimit do të mund të dihet numri i saktë i tyre, meqë aplikuesit po dërgojnë më shumë se një email dhe mund të ketë duplifikime në aplikim.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se të gjitha aplikacionet do të shqyrtohen derisa u bëri thirrje qytetarëve që mos të dërgojnë më shumë se një email për aplikim.
“Lus qytetarët jashtë Kosovës që të mos ngarkojnë emalin duke i dërguar nga tre herë të njëjtat aplikime, sepse siç duket e kanë keqkuptuar që do të ketë ndonjë pengesë dhe tani për t’u siguruar dërgojnë emailin e njëjtë në tri emaile tona zyrtare dhe bllokojnë pa nevojë emailin. Të gjitha aplikacionet do të shqyrtohen”, tha Daka.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi tha se ka pranuar ankesa nga qytetarët në diasporë se të njëjtit janë telefonuar anonim.
“Kemi pasur mesazhe të ndryshme për një pjesë të atyre njerëzve që kanë marrë telefonata dhe ato telefonata kanë dalë si anonime, ka prej tyre me gjasë që kanë kundërshtuar me dhënë të dhëna sepse është numri anonim”, tha ai.
Ndërkohë Ahmetaj nuk e përjashtoi mundësinë për gabime të tilla, që sipas tij janë teknike.
“Deri më dje janë telefonuar apo janë marrë konfirmime diku rreth tetë mijë votues që konsiderojmë që nuk kemi stagnim në këtë aspekt, kemi pasur problem teknik që në raste të caktuara ka mundur edhe të mos u shfaqet numri, mirëpo besoj që ky problem teknik besoj që posta veç e ka rregulluar. Sa u përket thirrjes së votuesve, sigurisht që nuk do të ngelet vetëm me një thirrje, por do të tentohet prapë me thirrjen e dytë, thirrjen e tretë”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u kërkua kujdes në çështjen e votave që vijnë me postë nga mërgata, duke theksuar nevojën e respektimit të ligjeve në fuqi.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së gjithashtu u tha se nga aplikacionet për certifikim të subjekteve politike, përfshirja e grave është 33.5%.
Ylli Buleshkaj nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës tha se nuk ka ndonjë përmirësim sa i përket aspektit gjinor.
“I kemi 28 aplikacione për certifikim të subjekteve politike si total i kemi 1081 kandidatë, nga ta janë 362 gra apo 33.5% dhe 719 burra apo 66.5%. Nga aspekti gjinor nuk është që ka ndonjë përmirësim tepër të madh nga hera e kaluar”, tha ai.
Ndryshe, KQZ ka miratuar edhe Fondin për Mbështetjen e Partive Politike.