UBT News

Mbi 131 mijë votues nga diaspora certifikohen për zgjedhjet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar zyrtarisht se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikimeve për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ku nga gjithsej 142 mijë e 802 aplikantë, janë aprovuar 131 mijë e 901 prej tyre, ndërsa 10 mijë e 906 kërkesa janë refuzuar.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur gjatë mbledhjes së të martës se shqyrtimit të gjitha kërkesave ka përfunduar dje, ndërkohë që sot në orën 20:32 përfundon edhe afati ligjor për kundërshtimet administrative.

Gjatë kësaj periudhe, e cila zgjati nga 6 deri më 17 maj 2026, u regjistruan edhe 96 anullime të kërkesave nga votuesit që zgjodhën të rikthehen në listën e votuesve brenda Kosovës.

Paralelisht me procesin e certifikimit, KQZ ka miratuar edhe adresat e kutive postare për votimin nga jashtë, të cilat do të jenë funksionale në 22 shtete të ndryshme si Gjermani, Zvicër, ShBA, Shqipëri, Austri, e vende të tjera.

Anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, theksoi se janë bërë vizita në terren për të verifikuar kapacitetet e mbledhjes së zarfeve, ndërsa Buzhala sqaroi se planet operative me Ministrinë e Punëve të Jashtme janë gati për të siguruar mbledhjen dhe dërgimin e sigurt të votave drejt Kosovës. /Kosova Press/

Exit mobile version