Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur periudhën e regjistrimit për votuesit jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Sipas të dhënave të para, interesimi i mërgatës është jashtëzakonisht i lartë, ku deri më tani janë aprovuar mbi 109 mijë kërkesa, ndërsa mijëra të tjera po shqyrtohen ende.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se procesi i regjistrimit ka zgjatur nga 6 deri më 17 maj 2026, periudhë gjatë së cilës janë pranuar me mijëra aplikime përmes platformës elektronike.
“Sipas të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi më 6 maj dhe deri në përfundim të tij më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, deklaroi Elezi.
Sipas të dhënave zyrtare, pjesa dërrmuese e bashkatdhetarëve kanë përzgjedhur votimin përmes postës, duke shfrytëzuar kutitë postare që KQZ-ja ka hapur nëpër botë.
“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, sqaroi Elezi.
Për t’ua lehtësuar këtë proces qytetarëve, KQZ-ja ka funksionalizuar kuti postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe brenda Kosovës, ndërsa adresat e sakta të tyre pritet të publikohen gjatë kësaj jave.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton që mërgata voton më herët sesa qytetarët brenda territorit të Kosovës. Elezi tregoi se votimi me postë është planifikuar të fillojë më 25 maj dhe të zgjasë deri më 6 qershor, që është edhe data kur do të organizohet votimi fizik nëpër përfaqësitë diplomatike.
Edhe pse fillimisht ishte vendosur që votimi fizik të organizohej në 48 përfaqësi diplomatike (33 ambasada dhe 15 konsullata) me gjithsej 70 vendvotime, KQZ-ja pritet ta rishikojë këtë listë. Arsyeja ndërlidhet me numrin e vogël të votuesve të regjistruar në disa lokacione.
“Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet. Votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ”, ka përfunduar Elezi në prononcimin e tij. /Ekonomia Online/
