Me moton “Libri mbron mendjen” ka nisur edicioni i 22-të i panairit të librit në Kosovë. I rikthyer pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë, panairi që po mbahet në Pallatin e Rinisë në kryeqytet do të qëndrojë i hapur deri më 12 qershor. Në panair po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, me rreth 2 mijë tituj të rinj.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në fjalën e tij, tha se gjatë periudhës së vështirë me COVID dhe izolimit të plotë libri shërbeu si dritare për të shijuar lirinë.
“Në mënyrë të çuditshme dhe figurative na përcjellë numri dy, dy vite mungesë, edicioni i munguar dhe i rikthyer i dy dyshave, këtij 2022-ti. Viti 2020 si vit i tronditjes së madhe dhe viti 2022 si vit i rikthimit. Kjo si për të treguar se një nuk është i mjaftueshëm… Libri gjatë pandemisë shoqëroi njerëzit, shpeshherë të ngujuar fizikisht, libri shërbente si një portë, si një dritare për të shijuar lirinë. Përderisa maska mbronte trupin, libri mbronte mendjen, kjo është edhe motoja e panairit tonë”, u shpreh Zeneli.
Zeneli njoftoi se mbi 100 votues do të prezantojnë mbi 2 mijë tituj të ri të cilët janë publikuar nga viti 2019, kur është mbajtur edicioni i fundit i panairit e deri në këtë që është hapur sot.
“Mbi 100 botues prezantojnë mijëra tituj të ri, të botuar në çarkun kohor mes panairit që tashmë duket i largët i vitit 2019 dhe panairit të këtij viti. Libra për çdo moshë, për çdo lexues, temë e çdo interes. Prej librit të parë të njohur e të botuar Epit te Gilgameshit e deri të librat e shumtë që botohen ekskluzivisht në panairin e librit, lexuesit gjejnë një det mundësish për të zgjeruar njohjet e kënaqësinë, shijet estetike. Libri është mjet përmes së cilës ne futemi në mendjen e gjenive”, tha ai.
Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, u shpreh i gëzuar që panairi u rikthye por shtoi se gjatë mbylljes njerëzit i janë rikthyer librit. Ai u shpreh se po punojnë për një politikë të re të kulturës ku bënë pjesë edhe libri.
“Komuniteti i botuesve është mjaft mirë i organizuar dhe kjo ngjarje tashmë e ka marrë edhe një lloj epiteti të caktuar të ngjarjes së rëndësishme kulturore, ku ne të gjithë së bashku tubohemi për ta kremtuar librin dhe për ta takuar njëri-tjetrin në një moment të rëndësishëm të rikthimit. Ka qenë një periudhë e mbylljes, e distancës me njëri-tjetrin, megjithatë ka qenë kohë ndoshta ku i jemi kthyer edhe më shumë librit gjatë periudhës së mbylljes… Ne tashmë jemi të pajtimit që mbështetja për librin duhet të kalojë në nivel tjetër dhe në këtë kuadër ne po punojmë për një politikë të re të kulturës, për një reformë të thellë ligjore dhe institucionale ku bënë pjesë edhe veprimtaria botuese, ku bënë pjesë edhe libri”, tha ai.
Shkrimtari francez, Claude Arnaud është shprehur i lumtur që ndodhet në panairin e librit në Prishtinë. Ai tha se në Francë shteti e ndihmon botimin, mirëpo ka më shume botues se lexues.
“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që ndodhem sot këtu mes botuesve, autoreve, përkthyesve dhe gazetareve në hapjen e panairit të 22-të të librit në Prishtinë…. Aktualisht në Francë shteti e ndihmon shumë botimin, tek ne ka më shumë shkrimtarë sesa lexues. Zhvillohen kushte të perfeksionimit të shkrimit, por unë besoj se do të ishte mirë të ofrohen kurse leximi, sepse leximi është gjithashtu një art i llojit të vet”, tha ai.
Drejtoresha e qendrës kombëtare të librit dhe leximit të Shqipërisë, Alda Bardhyli ka thënë se kjo është një ngjarje që na lidh me prekjen më të bukur të universit njerëzor
“Është një ngjarje e rëndësishme që na lidh me prekjen më të bukur të universit njerëzor. Identitetin e një kombi dhe një pushtet të vlerave të përbotshme që shtrihet përtej doktrinave politike dhe fetare që na lidh me humanizmin dhe vazhdimësinë që është pikërisht libri… E shkuara jonë si në Shqipëri dhe në Kosovë është një pengesë e vazhdueshme me historinë. Sot tre dekada nga rënia e komunizmit dhe gati 22 vite nga përfundimi i luftës së Kosovës mund të shohim dritën që shoqëroi dy vendet tona drejt një çlirimi shpirtëror. Poetët dhe shkrimtarët ishin ata që na orientuan drejt këtij çlirimi”, tha ajo.
Pritshmëritë janë që panairin ta vizitojnë rreth 40 mijë persona, ndërsa aty do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë. Panairi i librit i Prishtinës, krahas atij të Tiranës është panairi më i madh i librit shqip.